Katër masa sigurie janë ekzekutuar për 4 persona, një arrest me burg dhe tre të tjerë detyrim paraqitje, pasi dyshohet se përmes mashtrimit i kanë shkaktuar shteti një dëm prej 53 milionë lekë duke shmangur detyrimet tatimore.
Prokuroria e Tiranës njofton se 3 subjekte tregtare u krijuan për të kryer importet në favor të tregtarëve të ndryshëm, që këta të fundit ta marrin produktin pa faturë.
“Këto shoqëri objekt hetimi, kanë funksionuar si ‘nipte shëtitës’ dhe personat (tregtarë) që fshihen pas këtij aktiviteti përfitojnë të ardhura duke mos deklaruar xhiron reale, shmangur detyrimet tatimore dhe duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 53.000.000 lekësh”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Dyshohet se në këtë skemë kriminale mashtrimi janë të përfshirë persona, subjekte të tjera, studio kontabiliteti, si dhe funksionarë të administratës shtetërore, për të cilët vazhdojnë hetimet dhe veprimet procedurale për të dokumentuar të gjithë veprimtarinë kriminale.
Shtetasi S.M. ‘arrest në burg’; dhe shtetasit Z.R. E.S. dhe P.K. ‘Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore’.