Pas rreth shtatë orë punë të palodhur, është mundësuar hapja e segmentit të bllokuar të rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas, i cili u mbulua nga qindra metra kub gurë dhe dheu që ranë nga shpati i kodrës.
Shpati i kodrës është pjesë e punimeve për ndërtimin e një segmenti të ri rrugor, pjesë e projektit të Koridorit Tetë, ku po operon kompania “A N K” shpk.
Puna intensive e makinave të rënda dhe e ekipeve në terren bëri të mundur pastrimin e aksit dhe rifillimin e qarkullimit në të dy drejtimet. Autoritetet rrugore bëjnë thirrje për kujdes të shtuar dhe respektimin e sinjalistikës dhe paralajmërimeve në zonat ku vazhdojnë punimet.
Hapja e segmentit erdhi pas një ndërhyrjeje emergjente që synoi rikthimin sa më shpejt të trafikut normal dhe garantimin e sigurisë për udhëtarët, duke minimizuar pasojat e kësaj ngjarjeje natyrore.









