Një aksion në Mitrovicë të Veriut është zhvilluar nga Policia e Kosovës këtë të hënë.
Zëvendësdrejtori i Policisë në rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, ka thënë se aksioni është mbajtur nën dyshimin që disa biznese po zhvillojnë veprimtari të kundërligjshme.
Ky aksion sipas Elshanit po zhvillohet bashkë me ATK-në dhe me autorizim të prokurorit.
“Aksioni po zhvillohet pas informacioneve për biznese të cilat ushtrojnë veprimtari të kundërligjshme. Aksioni është ndërmarrë me urdhër të Prokurorisë. Me neve është edhe ATK-ja”.
Për aksionin ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Ai ka thënë se janë mbyllur 6 njësi të ashtuquajturës Bankë Postare e Kursimeve.
“Me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë, pas komunikimit dhe kërkesës së institucioneve relevante dhe autorizimit të prokurorit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, në katër komunat në veri të Kosovës ka realizuar sot operacionin e kontrollit dhe mbylljes së 6 njësive të të ashtuquajturës Bankë Postare e Kursimeve (Banka Postanske Stedionica) si institucion i jashtëligjshëm financiar i Serbisë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Sveçla.
Ministri i Brendshëm ka theksuar se sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi i Policisë për të cilin janë zotuar në vazhdimësi.