Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku firmosi masën disiplinore “përjashtim nga policia” për dy punonjës, për të cilët Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masë sigurimi personal.
Përjashtimi i tyre nga Policia e Shtetit është bërë për veprime korruptive, sjellje të rëndë diskretituese, shkelje të rëndë të atributeve, shkelje të kompetencave të policisë dhe mosbindje të rëndë. Ish-drejtuesi i policisë Lezhë Henerigert Mitri dhe shefi i krimeve Klodian Shahini akuzohen se bashkëpunuan me grupet kriminale që goditi SPAK-u.
Pas firmosjes së urdhrave të përjashtimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, u shpreh:
“Në radhët e Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend për askënd që shkel ligjin dhe, më keq akoma, bashkëpunon me grupet kriminale. Falënderoj Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byronë Kombëtare të Hetimit për bashkëpunimin profesional në përpjekjet e përbashkëta për goditjen e krimit të organizuar dhe vënien përpara drejtësisë të kujtdo që tenton t’i shmanget asaj” tha ai.