Përgjatë 2023 peshën kryesore të të ardhurave të grumbulluara nga taksat e 61 bashkive në vend vijon ta mbajë taksa e ndikimit në infrastrukturë.
Rreth 63% të peshës për zërin e të ardhurave nga taksat dhe tatimet e pushtetit vendor e mbajti taksa e ndikimit në infrastrukturë, sipas të dhënave të raportit të Institutit të Bashkive të Shqipërisë, kundrejt peshës prej 55% që zuri në 2022.
Në total të ardhurat e 61 bashkive nga burimet e veta (duke përfshirë taksa dhe tarifa vendore, dhe të ardhura vendore të tjera) për 2023 arritën 350 mln euro. Në raport me 2022 të ardhurat u rritën 11%.
Më tepër arkëtime për vitin 2023 ka pasur nga taksa e ndikimit në infrastrukturë që arritën në vlerën e 13 mld lekëve për 2023. Krahasuar me 2022 të ardhurat nga kjo taksë u rritën 28.3%.
Bashkia që grumbullon më shumë të ardhura nga taksa e ndikimit në infrastrukturë mbetet e Tiranës që zë 72,2% të totalit të arkëtimeve nga kjo taksë për 61 bashkitë e vendit, pasuar nga Kamza (8.4%), Kavaja (2.9%), Durrësi (2.8%), Himara (2.3%), Saranda (2.2%) dhe Vlora (2.1%).
Performanca pozitive e vërejtur përgjatë vitit 2023 për arkëtimin e kësaj takse i atribuohet më së shumti Bashkive Tiranë (+2 miliardë lekë), Kamëz (+621.4 milionë lekë), Kavajë (+219.5 milionë lekë), Lezhë (+101.5 milionë lekë) dhe Sarandë (96.3 milionë lekë).
Ndërkohë që evidentohen një numër bashkish si bashkia Vlorë (-88.6 milionë lekë), bashkia Himarë (-54.6 milionë lekë) dhe bashkia Fier (-34.9 milionë lekë) të cilat kanë performuar dobët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan Monitor.