Zjarri i fuqishëm që përfshiu një pallat 12-katësh në rrugën e Dibrës, pranë zonës së njohur si “Farmacia 10”, dyshohet të jetë shkaktuar nga pakujdesia e disa të miturve.
Sipas burimeve të grupit hetimor, janë administruar pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përreth, ku shihen pesë fëmijë të mitur që qëndrojnë për disa minuta në pjesën e pasme të një marketi.
Më pas, dy prej tyre largohen duke mbajtur në duar një objekt të paqartë, i cili dyshohet të ketë qenë një copë letër.
Pasi e hedhin objektin mbi disa kuti kartoni të vendosura jashtë marketit, ata largohen nga vendi i ngjarjes.
Pak minuta më vonë, aty shfaqet tymi, i cili më pas kalon në flakë, duke shpërthyer dhe përhaping zjarrin në fasadën e pallatit.
Flakët u përhapën me shpejtësi, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke rrezikuar jetën e banorëve.
Në vijim të hetimeve, policia ka arrestuar katër persona, të dyshuar për “shkatërrim të pronës nga pakujdesia” dhe “shkelje të rregullave të sigurisë në punë”.
Po ashtu, katër persona të tjerë janë proceduar penalisht dhe janë nën hetim. Autoritetet kanë njoftuar se hetimet do të vijojnë për të zbardhur të gjithë rrethanat dhe shkakun e këtij incidenti.









