Mesfushori i Realit të Madridit, Toni Kroos ka vendosur të tërhiqet nga futbolli menjëherë pas përfundimit të “Euro 2024”, kompeticioni i fundit në të cilin do të marrë pjesë.
Mesfushori i Real Madrid mbyll kështu karrierën e tij në maja të larta, në moshën 34-vjeçare, pasi ndeshja e fundit që do të luajë me klubin madrilen do të jetë finalja e Champions League, ndërsa me Gjermaninë do të luajë Evropianin, ku përfaqësuesja e tij është një nga favoritet.
“Sot jam i lumtur dhe krenar që kam gjetur në kokën dhe zemrën time momentin e duhur për këtë vendim. Ambicia ime ka qenë gjithmonë që të mbyllja karrierën në kulmin e nivelit tim”, tha Kroos.
Toni Kroos gjatë 10 sezoneve me fanellën e bardhë ka luajtur 463 ndeshje dhe ka fituar 22 tituj: 4 Champions, 5 Botërorë Klubesh, 4 Superkupa Evrope, 4 tituj kampion në Spanjë, 1 Kupë Mbreti dhe 4 Superkupa Spanje.
Me Bayern Munchen ka fituar 1 Champions, 1 Botëror Klubesh, 1 Superkupë Evrope, 3 tituj kampion në Gjermani, 3 Kupa Gjermanie dhe 2 Superkupa Gjermanie.
Me Gjermaninë, Toni Kroos ka fituar Botërorin e zhvilluar në Brazil, në vitin 2014.