Komisioni hetimor për koncesionet në shëndetësi ka caktuar në mbledhjen e sotme dëgjesat e para. Kryetarja Albana Vokshi deklaroi se janë dërguar kërkesat për informacion të propozuara nga të dy palët.
“Është dakordësuar që këtë javë dhe tjetrën në vijim, ndërkohë që pritet përgjigjja e kërkesave, u kemi lënë kohë 7 ditë institucioneve, është propozuar plani për vizitat në terren.
Është propozuar që të premten të zhvillojmë një vizitë në spitalin e Durrësit dhe më pas do të vendosim për vizitë në 1 ose 2 qendra shëndetësore apo laboratorë.
Të martën të bëjmë një vizitë te spitali i Traumës dhe do të diskutojmë nëse do të vizitojmë një qendër shëndetësore. Të hënën në datë 3 qershor do të thërrasim KLSH-në për të raportuar më pas nismën Thurje”, tha ajo.