Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar mbi miratimin nga ana e Asamblesë së OKB-së të Rezolutës që e vendos 11 Korrikun Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë.
Në një postim në rrjete sociale, Osmani shkruan se dhënia fund e mohimit të gjenocidit sipas saj është jo vetëm detyrim politik dhe ligjor por edhe moral. Më tej Osmani ka dhënë një mesazh edhe për ata që e mohuan gjenocidin dhe votuan kundër. “Mohimi i gjenocidit nuk do ta hapë kurrë rrugën drejt paqes”, tha Osmani.
Reagimi i plotë:
Ne do të kujtojmë! Më 11 korrik dhe çdo ditë! Me themelimin e sotëm nga UNGA të Ditës Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, bota po u jep brezave të ardhshëm një shans për të mësuar nga mësimet e nxjerra nga Srebrenica.
Njohja është një hap kyç drejt pajtimit dhe luftimit të mohimit të gjenocidit.
Është thelbësore për shërimin dhe për paqen e qëndrueshme, duke u ofruar ngushëllim nënave të Srebrenicës dhe të gjithë anëtarëve të familjes së mbijetuar, duke siguruar që të dashurit e tyre nuk do të harrohen kurrë. Për ata që punuan pa u lodhur kundër Rezolutës së sotme: mohimi i gjenocidit nuk do të hapë kurrë rrugën drejt paqes.
Zërat e atyre që i duruan këto tmerre kur ishin fëmijë na kujtojnë se dhënia fund e mohimit të gjenocidit nuk është thjesht një detyrim politik dhe ligjor, por një detyrë morale kolektive. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar në luftën për të vërtetën dhe drejtësinë. Le të udhëhiqemi nga kujtesa e ashpër në fjalët e fëmijës së pafajshëm që pyet nënën e tij: “Nënë, ushtarët i vrasin fëmijët me plumba të vegjël, apo jo?”