-sidi education-spot_img
24.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: Sarajevë, aq më e afërt është e kaluara

Kryesoret

Për “Holiday Inn” , gazetarët si skicues historie dhe tifozërinë e “C.Zvezdës” në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

1.

Ka një kohë, diku prej vjeshtës së vitit të kaluar, që jam marrë intensivisht me të kaluarën. E di, njeriu merret çdo ditë me të kaluarën-si është dukur rruga ime para disa muajsh apo vitesh, çka ndodhi me shokun apo kushëririn tim, pse kanë qenë domatet me aromë në këtë kohë kur ishim fëmijë dhe natyrisht e domosdoshmërisht përshkrimi i momentit kur ndahet historia në para dhe pas lufte, asaj lufte që përjetuam-por këto muaj intensivisht jam marrë me vitet e kthesës 1989-1990, Rënien e Murit të Berlinit dhe pasojat tektonike për ne në Kosovë që filluam lëvizjen demokratike të padhunshme. Fryt i kësaj pune është libri “Viti i qirinjve” që do të promovohet javën e ardhshme në Panairin e librit të Prishtinës.

E në momentin kur u autorizua dorëshkrimi përfundimtar u gjeta habitshëm në një rrugëtim të të kaluarave paralele, sikur të binarëve. Ndërsa lija pas vetes kopertinën e librit, me një fotografi dhuratë nga Hazir Reka, të natës kur ndihmova në themelimin e Sindikatës së punëtorëve të “Ramiz Sadikut”, u nisa për në Sarajevë e në hotelin “Holiday “ (ish “Holiday Inn”) në të cilin nuk kisha fjetur ndonjëherë, por të cilin e përzgjodha, sepse ishte simbol historik. Në momentin kritik të shpalljes së pavarësisë së Bosnjë e Hercegovinës ishte selia e partisë nacionaliste serbe të Karaxhiqit, nga dritaret e saj snajperat qëlluan për të vrarë qytetarët e mbledhur (të të gjitha etnive) që protestonin për paqe e kundër luftës dhe kur tashmë filloi lufta në këtë hotel u vendosën gazetarë ndërkombëtarë të cilët me kurajë (dhe me drita, ujë, ushqim dhe alkool, për dallim prej sarajevasve) raportonin për rrethimin më të gjatë të një qyteti pas Luftës së Dytë Botërore.

2.

Dhe në hotel nuk kisha nevojë të ftoja historinë të rrëfej, ajo erdhi vetë. Së pari me shefin e sallës, që më çoi prej një dhome konference në tjetrën, duke më shpjeguar se është aty mbi 40 vjet-“për të qenë të saktë dyzet vjet e 11 muaj, bëhen javën e ardhshme”-dhe se ai është aty prej momentit kur u ndërtua, për Lojërat olimpike të Sarajevës. E rrëfyer kështu, historia merrte formën e xixëllonjës në sytë e këtij qytetari boshnjak, dhe kolektive në sytë e të gjithë të tjerëve, të gjithë të gëzuar që kanë diçka në histori me të cilën mund të gëzohen, qoftë edhe për një moment.

(Pyesja nëpër qytet se a mund të paramendohet që Bosnjë e Hercegovina të jetë në gjendje të njëjtë, kësaj kur gëzimi më i madh është xixëllonja e Lojërave Olimpike, edhe më 2045, pesëdhjetë vjet pas Marrëveshjes së Daytonit, dhe nuk ma mohoi njeri).

Pastaj erdhi Michael Montgomerry, ish-gazetar i “Daily Telegraph” me të cilin nuk isha takuar një çerek shekulli. Nën bombardime e gjuajtje snajperësh, ai dhe kolegët e tij ishin pjekur në një luftë, dhe për herë të parë në gazetarinë perëndimore së bashku me përdorimin e helmetave, jelekëve antiplumb dhe udhëzimeve për vetëmbrojtje, protokollet e tyre profesionale filluan të përfshinin krimet e luftës. Michael ishte njëri prej gjeneratës së gazetarëve që u rritën me hulumtimin e varrezave të përbashkëta, kufomat e nxjerra të djemve me duar të lidhura me tel , të burrave të kërrusur me katër-pesë vrima plumbash në shpinë dhe këpucë, fletore e çdo send tjetër që në rrethana të tjera do të ishte artefakt përditshmërie, por s’kishte pse të gjendej në varrezë të përbashkët pos për të shënuar një urrejtje që tejkalon kufirin elementar të njerëzores.

Sytë e tij nuk kishin nevojë për më shumë indikacione kur erdhi në Qyshk të Pejës, filloi hulumtimin dhe bëri një radio-dokumentar që fitoi shpërblime të gazetarisë sipërore dhe inicioi arrestimin e anëtarëve të njësitit përgjegjës për masakrën e Qyshkut.

3.

Dhe, në hotel erdhi Boro Kontiq, gazetar që kaloi tërë luftën në Sarajevën e rrethuar nga forcat çetnike dhe pasluftën e dërmuar nga –thjesht-paslufta. Gjatë luftës dhe pas saj u përpoq ta ruajë mendjen e shëndoshë – të veten e të rrethit-dhe pjesë e kësaj përpjekjeje është ruajtja e përhershme e rrjetit të miqësive të gazetarëve që kaluan luftën së bashku, e që janë dëshmitarë të së kaluarës. Ai ma solli librin e ri me titull “Skica e parë e historisë”, pjellë e një projekti dokumentar televiziv të cilin e realizoi me ne, gazetarët që morën pjesë në gjykimet për krime lufte në cilësinë e dëshmitarëve.

Kur më ftoi të merrja pjesë në këtë projekt u shpreha i gatshëm, mes tjerash, edhe për shkak të vlerësimit të cilin e kisha asokohe e ia thashë se jemi në garë mes historisë dhe revidimit të saj. Gazetarët ishin ata që bënë skicën e parë të historisë, siç e thotë titulli i librit, e brumin kryesor tashmë e ka dhënë Gjykata ndërkombëtare për Krime në Ish-Jugosllavi. Qendra Mediale e Sarajevës ka mbledhur mbi 2640 dëshmi të gazetarisë që janë përdorur nga kjo Gjykatë- një arkiv i tërë që shpjegon se çka ndodhi në luftërat e ish-Jugosllavisë.

Por, kjo histori, e ndërtuar me proces gjyqësor, është në konkurrencë aktive me një histori tjetër në bërje e sipër. Siç deklarova në librin e Kontiqit, kapaciteti për krijimin e dezinformatave (në rrjete sociale e në medie në përgjithësi) është më i madh se kapaciteti për procesimin profesional të informatave. Pra, Qendra Mediale e Sarajevës mund të procesojë 2640 dëshmi profesionale të dorëzuara në Hagë, por kaq dezinformata mund të prodhojë brenda një ore një fushatë e organizuar mirë në rrjete sociale.

4.

Dhe, një ditë pasi u ktheva nga Sarajeva përcolla drejtpërsëdrejti këtë garë të shndërruar në garë globale.

Në Asamblenë e përgjithshme të OKB-së u hodh në votim një Rezolutë e cila do të kërkonte rivërtetim të një fakti, se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid dhe një nevojë, që ky fakt të mos relativizohet e as mohohet, por të rikujtohet si një vepër kundër njerëzimit.

Presidenti Vuçiq i Serbisë e shndërroi Rezolutën në një garë sportive. Në njërën anë do të dilnin 84 vende që besonin se atje kishte ndodhur gjenocidi. Në anën tjetër do të ishin ato vende që nuk besonin se kishte ndodhur, nuk besonin se ishte mirë të përmendet se kishte ndodhur apo nuk mendonin se përmendja e këtij fakti mund të ndihmonte gjë. Në njërën anë ishin besimtarët e një akti moral, në anën tjetër ishin mohuesit, relativizuesit , të pabindurit, injoruesit apo të painteresuarit e këtij akti morali.

Rezoluta për Srebrenicën dukej si garë mes një institucioni shkencor që me përmbledhje punimesh prej historianësh, patologësh, psikiatërish e sociologësh përpiqet të ndërtojë një të vërtete të pranueshme dhe një kori të rinjsh që pas konsumit të birrave dhe nxitësve të tjerë të pasionit gjejnë qëllim jetësor të asaj dite që me bërtimë të pamundësojnë bisedën e drejtuar kah gjetja e të vërtetës.

Presidenti i Serbisë, tifoz i dikurshëm i futbollit që pranoi se kishte qenë përdorues i dëshmuar i forcës fizike në ndeshje të C.Zvezdës, përfshirë edhe atë me Dinamon në Zagreb që asokohe qe paralajmërim i fillimit të luftës në ish-Jugosllavi, mori me vete në OKB flamurin shtetëror në vend të atij futbollistik, për të dëshmuar mbase se sa më shumë të hyjmë në vitet e ardhmërisë së shekullit XXI në këtë konflikt të papërfunduar, aq më e afërt është e kaluara./ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit