Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa normalizimin e raporteve të saj me Kosovën, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“Marrëveshja e Ohrit aktualisht e bën këtë shumë të qartë: Nëse nuk ka progres në normalizim, nuk do të ketë progres në negociatat e anëtarësimit”, shtoi ai.
Kjo deklaratë erdhi pasi ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, në një intervistë për edicionin e 13 qershorit të së përjavshmes NIN nga Beogradi, tha se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në BE.
Bashkimi Evropian, megjithatë, nuk është shprehur qartë nëse njohja formale e Kosovës do të jetë kusht për Serbinë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, dhe Stano përsëriti se “qëndrimi i bllokut rreth kësaj çështjeje mbetet i pandryshuar”.
“Qëndrimi i BE-së rreth kësaj nuk ka ndryshuar dhe mbetet i njëjti, siç është thënë në të kaluarën dhe siç është cekur në kriteret e anëtarësimit”, tha Stano.
Prej se Kosova e shpalli pavarësinë, 15 vjet më parë, Bashkimi Evropian është shprehur vazhdimisht se çështja e njohjes së Kosovës është një çështje në kompetencë të vendeve anëtare të BE-së dhe, si bllok evropian, ka mbajtur një qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës.
Por, në anën tjetër, Kosova ka raporte të veçanta kontraktuale me Bashkimin Evropian, përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, ndërsa në procesin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE nuk përfshihet territori i Kosovës.
Në BE gjithmonë kanë ngulur këmbë që të përdorin normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën si kusht për Serbinë. Interpretimin se a nënkupton “normalizimi i plotë” edhe njohjen formale të Kosovës nga Serbia, në BE ua kanë lënë palëve ta interpretojnë vetë.