-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ditmir Bushati: Të panjohurat e udhëheqjes së re politike

Kryesoret

Zgjedhjet për në Parlamen tin Europian shoqërohen gjithnjë me pyetjen se kush do ta drejtojë Europën, mirëpo ato nuk janë gjë tjetër veçse 27 zgjedhje paralele, pasi çdo vend vendos vetë për mënyrën e zgjedhjes të përfaqësuesve në Strasburg. Zgjedhjet europiane kanë qenë historikisht zgjedhje të dorës së dytë, por me ndikim në zhvillimet e brendshme politike, sikurse u dëshmua në Francë me thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nga presidenti Macron. Zgjedhjet europiane po bëhen gjithnjë e më politike, duke u nxitur nga agjenda të brendshme dhe jo nga vizioni për Europën. Ndaj, analizimi i rezultateve është një proces kompleks.

LAVJERRËSI DJATHTAS

Në mënyrë të qartë lavjerrësi është zhvendosur djathtas. Pesha politike e forcave të qendrës së djathtë dhe të djathtës ekstreme është rritur. Gjithsesi, tkurrja e partive politike të grupuara rreth qendrës është e vogël, nga 59% në 56% të vendeve në Parlamentin Europian, krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Partia Popullore Europiane jo vetëm doli e para, duke konsoliduar traditën e vendosur që prej vitit 1999, por edhe pësoi rritje. Partia Popullore Europiane është rritur në numra dhe në influencë në shumicën e shteteve anëtare të BEsë, çka e bën atë një faktor politik të pazëvendësueshëm në formimin e institucioneve të reja të BE-së. Aleanca Progresiste e Socialistëve dhe Demokratëve doli e dyta, por hemorragjia e votave të saj nuk është ndalur. Liberalët u reduktuan ndjeshëm, për shkak të humbjes së rëndë që pësoi partia e presidentit Macron në Francë. Sërish, grupimet politike të lartpërmendura do të kenë një shumicë udhëheqëse në Parlamentin Europian. Zgjedhjet e 2019-ës u shënjuan nga triumfi i të gjelbërve, çka shtyu BE-në drejt miratimit të Agjendës së Gjelbër. Në këto zgjedhje të gjelbërit u reduktuan ndjeshëm, duke u renditur si grupi i dytë më i vogël në Parlamentin Europian.

Bie në sy fakti se të tre raportet që u kërkuan nga BE-ja në vigjilje të ripërtëritjes së institucioneve europiane: (i) për përgatitjen në fushën e mbrojtjes, hartuar nga ish presidenti finlandez, Sauli Niinistö; (ii) për tregun e brendshëm, hartuar nga ish kryeministri italian, Enrico Letta; (iii) për nxitjen e konkurrueshmërisë, hartuar nga ish kryeministri italian, Mario Draghi; mjedisi nuk figuron si çështje. Është e qartë se do të kemi një Europë më pak të përqendruar në përmbushjen e objektivave të Agjendës së Gjelbër.

KËPUTJA E “KORDONIT SANITAR”

E djathta ekstreme fitoi terren. Grupi i Konservatorëve dhe Reformistëve është rritur, si pasojë e suksesit që shënoi në zgjedhje partia e kryeministres italiane Giorgia Meloni, por edhe të partive të ngjashme në Poloni, Spanjë e Suedi. Edhe më djathtas tyre, grupimi politik Identiteti dhe Demokracia shënoi rritje, si pasojë e rezultateve të partisë së Marine Le Pen në Francë dhe Partisë së Lirisë në Austri. Rritje, që do të ishte më e qenësishme nëse ky grupim nuk do të kishte dëbuar nga gjiri i vet para pak javësh Partinë Alternativa për Gjermaninë, e cila nxori në vend të tretë social-demokratët e kancelarit Scholz. Vlen të theksohet se partitë e ekstremit të djathtë shënuan fitore të rëndësishme në shtete ku asnjëherë nuk kanë pasur mundësi të ushtrojnë pushtet, kryesisht në Francë dhe Gjermani.

Në shtetet, të cilat janë dëmtuar nga qeverisjet populiste, partitë tradicionale arritën rezultate të mira. Megjithëse në çdo palë zgjedhje europiane është folur për një “kordon sanitar” ndaj partive të ekstremit të djathtë, duhet pranuar se asnjë nga këto subjekte nuk ka retorikë të dhunshme. Vetë Ursula von der Leyen në debatin e Maastricht që u zhvillua mes kandidatëve për president të Komisionit Europian e këputi konceptin e “kordonit sanitar”, duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me këto grupime politike me kushtin që ato të respektojnë vokacionin europian, parimet e shtetit të së drejtës, dhe qëndrimet e deritanishme të BEsë ndaj agresionit rus në Ukrainë.

Në rast se i marrim grupimet e lartpërmendura të së djathtës ekstreme së bashku dhe shtojmë këtu edhe votat e partisë së kryeministrit hungarez Orbán, ato renditen në vendin e dytë, pas Partisë Popullore Europiane, duke nxjerrë në vend të tretë Aleancën Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian. Potenciali i këtij bashkëpunimi ekziston edhe pse nuk është i lehtë. Megjithëse konglomerati i të djathtës ekstreme pajtohet me nevojën për një “luftë nga brenda” ndaj “elitës së Brukselit”, në politikë të jashtme dhe sidomos në qëndrimet ndaj Rusisë ka dallime të forta mes tyre.

TË PANJOHURAT E UDHËHEQJES SË RE POLITIKE

Sfida e parë pas konstituimit të Parlamentit Europian ka të bëjë me ndarjen e pozicioneve të rëndësishme europiane. Socialistët dhe Demokratët mandatuan kancelarin gjerman Scholz dhe kryeminstrin spanjoll Sánchez, ndërkohë që Partia Popollore Europiane pritet të mandatojë kryeministrin polak Tusk dhe kryeministrin grek Mitsotakis, për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për ndarjen e përgjegjësive europiane. Me kalimin e kohës, aftësia e BE-së për të përkthyer rezultatin e zgjedhjeve në institucione të reja dhe në një udhëheqje të re politike, është bërë më e vështirë.

Më parë, ishte e lehtë të identifikohej se kush do të mund të udhëhiqte Komisionin Europian, Parlamentin Europian apo pozicionet kyçe si Banka Qendrore Europiane. Tani çdo gjë është më e komplikuar. E kemi parë këtë në vitin 2019, teksa udhëheqësve europianë iu deshën disa javë që të përcaktonin presidentin e Komisionit Europian. Ndoshta tani do të nevojitet më shumë kohë për të arritur një kompromis politik, për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në Francë, të thirrura nga presidenti Macron. Formatit të koalicionit të deritanishëm mes Partive Popullore Europiane, Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve dhe Liberalëve, që siguron mbështetje ndaj Komisionit Europian, mund t’i bashkëngjiten edhe të gjelbërit, hapësira e negociimit e të cilëve është ngushtuar, për shkak të rezultatit të dobët zgjedhor.

Mirëpo mund të krijohen edhe “shumica parlamentare fleksibël”, falë bashkëpunimit të mundshëm mes Partive Popullore Europiane me Konservatorët dhe Reformistët. Megjithëse partitë e tjera tradicionale e kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me këtë grupim, Giorgia Meloni, si simboli i Konservatorëve dhe Reformistëve dhe si kryeministrja e vendit të tretë për nga pesha e madhësia në BE, pritet të luaj një rol të rëndësishëm në konstituimin e institucioneve europiane. Aq më tepër që udhëheqësit e dy vendeve kryesore të BE-së, Gjermanisë dhe Francës pësuan disfatë zgjedhore.

100 DEPUTETËT E PAANGAZHUAR

Një tjetër e panjohur e këtyre zgjedhjeve janë edhe 100 deputetët, një numër i lartë krahasuar me parlamentin e kaluar, që nuk janë të lidhur me grupimet ekzistuese politike në Parlamentin Europian. Praktika e deritanishme tregon se kjo tipologji deputetësh nuk mund të trajtohet si një e tërë. Gjithsesi, çdo grupim politik priret të negociojë me to me qëllim shtimin e radhëve, pasi dihet se përkatësia e deputetëve në grupime politike ka përparësi të padiskutueshme, përsa i përket aksesit të plotë në drejtimin e strukturave parlamentare.

NJË BE MË E RREPTË ME EMIGRACIONIN, MË PAK E GJELBËR

Për pesë vitet që vijnë, në rrafshin e drejtimit politik, ka të ngjarë që animi djathtas i Parlamentit Europian do ta bëjë BE-në edhe më të rreptë në çështjet e migracionit. Politika e tanishme e BE-së për emigracionin është ndikuar nga e djathta për më shumë se një dekadë. Ideja për të siguruar kufijtë, për ta shtrirë më tej sigurinë e Europës duke u dhënë vendeve fqinje fonde (Turqisë, Libisë, Tunizisë), është me të vërtetë një qasje që vjen prej asaj politike. Pra, nga njëra anë e djathta, dhe e djathta ekstreme, kanë formësuar agjendën politike të BE-së, dhe nga ana tjetër, kjo prirje do të theksohet, për shkak të rezultateve zgjedhore.

Gjithashtu, BEja pritet të orientohet drejt një agjende që më shumë sesa e gjelbër do të jetë kafe, e përqendruar te politikat industriale në fushën e mbrojtjes. Pra, mund të kemi një ripërtëritje të të gjitha prioriteteve industriale të Europës. Megjithatë, duhet nënvizuar ndryshimi midis, nga njëra anë, prioritizimit të shpenzimeve për politikat e mbrojtjes kombëtare dhe nga ana tjetër, financimit për riorganizimin e ekonomisë europiane dhe për mbrojtjen e përbashkët europiane. Një BE, e ndikuar nga e djathta ekstreme, do të vuaj më shumë për të gjetur gjuhën e përbashkët për sigurimin e financimeve për mbrojtjen e përbashkët. Një BE që i mëshon më shumë “sovranizmit” dhe më pak e gjelbër vështirë se do të dëshironte të financonte një politikë industriale europiane, edhe nëse kjo është ajo që nevojitet për të nxitur konkurrueshmërinë e BE-së në tranzicionin energjetik dhe digjital, e lëre më të bëjë ndonjë përparim në reformat e politikave bujqësore, të nevojshme për të arritur qëllimet e mbrojtjes së mjedisit dhe për t’i paraprirë procesit të zgjerimit me 36 shtete.

A DO TË PËRPAROJË PROCESI I ZGJERIMIT?

Zgjerimi i BE-së mund të përparojë duke e konsideruar atë si anën e kundërt të zbehjes së saj të brendshme, por edhe si një mundësi për të ndërmarrë reforma të thella institucionale. Thënë ndryshe, një BE që organizohet në trajtën e rrathëve koncentrikë duke u zgjeruar dhe thelluar njëkohësisht për politika të ndryshme, çka do të lehtësonte procesin vendimmarrës. Mirëpo, një BE me nuanca apo ç’është më e keqja me përfaqësim joliberal të identifikuar madje në pozicione kyçe, nuk do të kishte vullnetin politik dhe besueshmërinë për të folur për sundimin e së drejtës, as me shtetet kandidate për anëtarësim në BE dhe as në arenën ndërkombëtare.

ZGJEDHJET NË SHBA DHE E ARDHMJA E EUROPËS

Zgjedhjet europiane përfunduan pa i dhënë përgjigje pyetjes se kush do ta drejtojë Europën. Ndoshta zgjedhjet presidenciale në SHBA do të jenë më përcaktuese për të ardhmen e Europës sesa zgjedhjet për në Parlamentin Europian. Kjo ndodh për shkak të ndarjeve brenda Europës. Linja përcaktuese në BE nuk është domosdoshmërisht midis së djathtës dhe të majtës, apo midis veriut dhe jugut, por midis vendeve që kërkojnë më shumë autonomi, autonomi sovrane të Europës dhe vendeve të cilat nuk kanë besuar kurrë te kjo autonomi. Në këtë konteskt, zgjedhjet presidenciale në SHBA, në një mënyrë apo tjetër, do të ndikojnë edhe kursin e BE-së në raport me procesin e integrimit europian, arkitekturën e sigurisë së Europës, e cila vuan pasojat e agresionit rus në Ukrainë dhe bashkëpunimin me NATO-n.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit