46% e të punësuarve në vend përjetojnë stres të përditshëm në punë.
Jemi të gjashtët në Europë, pas Qipros Veriore*, Maltës, Greqisë, Qipros, Luksemburgut, por më të stresuarit se gjithë vendet e tjera të Ballkanit.
Nga ana tjetër edhe pse kanë një punë, 42% e të punësuarve në Shqipëri mendojnë ta lënë atë dhe janë në kërkim të vazhdueshëm për një vend të ri pune. Në Europë, punonjësit shqiptarë janë të parët që duan ta lënë punën. Të dytët pas nesh janë italianët, me 41%.
Të dhënat u bënë të ditura nga një raport i fundit i Gallup “State of the Global Workplace”.
Edhe në komponentët e tjerë të marrë në studim për gjendjen e vendin e punës nuk jemi më mirë.
20% e të punësuarve shqiptarë përjetojnë zemërim të përditshëm, sipas raportit jemi më shumë të zemëruar se një vit më parë. Maqedonasit dhe malazezët janë ndër më të zemëruarit në Europë. Ata zemërohen shpejt, por e përjetojnë me më pak stres.
19% e punonjësve shqiptarë përjetojnë trishtim të përditshëm. Pavarësisht stresit, zemërimit dhe trishtimit në vendin e punës, 27% tyre janë punonjës të angazhuar, të dytët në Europë, pas Rumanisë.
Nga ana tjetër sa i përket klimës në tregun e punës, 54% e të punësuarve mendojnë se është një kohë e mirë për të gjetur një punë të re.
Sa i përket zhvillimit, rritjes në vendin e punës, jemi ndër të fundit në Europë, vetëm 34% e të punësuarve në vend po përjetojnë “ecuri pozitive” në vendin e punës. (lexo KËTU shkrimin e plotë)