Ishte prilli i vitit 2013 kur Bashkimi Evropian bëri të ditur se Kosova dhe Serbia kanë arritur “marrëveshje historike” për normalizimin e marrëdhënieve.
Marrëveshja – e para e atij lloji mes tyre që nga përfundimi i luftës më 1999 – u nënshkrua nga kryeministrat e atëhershëm të dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.
“Ky është një hap më larg së kaluarës për të dy dhe një hap më afër Evropës”, tha shefja e atëhershme e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, e cila i ndërmjetësonte bisedimet mes tyre.
Nga ajo kohë, Serbia vetëm hapi disa kapituj negociatash për pranim në BE, ndërsa Kosova vetëm aplikoi për anëtarësimin në këtë bllok.
Shumë pika të marrëveshjes nuk u zbatuan dhe tensionet vazhduan. Në disa raste kulmuan edhe në protesta e barrikada në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe, e ndikuar nga Serbia, kundërshton autoritetin e Kosovës.
Dhjetë vjet pas marrëveshjes së parë, më 2023, dy vendet u dakorduan edhe për një tjetër – njësoj për normalizimin e marrëdhënieve. Edhe atëherë u cilësua si “arritje e rëndësishme” nga Bashkimi Evropian.
Duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shefi i i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se ata janë pajtuar që t’i zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjes dhe detyrimet përkatëse.
Më shumë se një vit më vonë, gati të gjitha këto nene mbeten vetëm në letër. Tensionet kulmuan sërish me protesta të dhunshme në veri, e madje edhe me incidente të armatosura. Për më shumë kliko KËTU