Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ka pasur kërkesa për koncesione shtesë, që kanë shkuar përtej masave ndëshkuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës vitin e kaluar.
“Por, natyrisht Kosova nuk ka pranuar të shantazhohet në këtë drejtim”, tha Bislimi gjatë një raportimi para Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane.
Sipas tij, kërkesa të tilla, të cilat siç tha ai janë bërë në vazhdimësi nga shtetet anëtare, por jo direkt nga Brukseli, tregojnë se Kosova ka pasur më së paku faj për vendosjen e këtyre masave.
Deklarata e Bislimit vjen pasi shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka dorëzuar një raport te shtetet anëtare të BE-së. Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet diplomatike se në këtë raport, Borrell ka rekomanduar heqjen e masave ndëshkuese.
Gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, Bislimi tha se shtetet anëtare të bllokut evropian e kanë pasur të qartë se vendosja e masave ndëshkuse ndaj Kosovës ka qenë “e padrejtë”.
Sipas tij, brenda BE-së ka shtetet që mendojnë se mënyra se si janë vendosur këto masa ndëshkuese ka qenë shkelje e procedurave ligjore brenda BE-së, “dhe ka të tillë të cilët kanë iniciuar kërkesa brenda Komisionit Evropian për të verifikuar ligjshmërinë”.
“Për shembull një ekspert shqiptar në Gjermani i cili është duke shkëmbyer mesazhe dhe shkresa me KE-më për të parë a është e shëndosh baza ligjore mbi të cilën janë marrë këto vendime”, tha Bislimi.