Kryetarja e Këshillit të Integrimit, Jorida Tabaku akuzon Fatmir Xhafajn se me komisionin Anti-Korrupsion që drejton i ka marrë sekretariatin dhe stafin. Deputeti socialist i bëri thirrje sot opozitës që të marrë pjesë në këtë komision që deri tani e ka bojkotuar, por Tabaku ka listuar arsyet se përse kjo është propagandë.
“Të ngresh një institucion që dublon Këshillin Kombëtar të Integrimit dhe që i merr sekretariatin dhe stafin e atashuar për #KKIE nuk është dialog dhe as gjithëpërfshirje aq më pak kërkesë për një të tillë. Por kjo është më e pakta pasi shqetësimet e drejta që ka ngritur @ISP_Institute në lidhje me këtë komision, janë sinjal alarmi.
Procesi i integrimit dhe lufta kundër korrupsionit nuk kanë nevojë as për propagandë dhe as për fjalë të mëdha. Por për angazhim që fatkeqësisjt ka munguar e që mund të ishin bërë çdo ditë për 11 vite dhe duhen bërë çdo ditë që kalon.
Ngritja e grupeve të përbashkëta të punës me institucione që janë e duhet të jenë të pavarura, nën varësinë e këtij komisioni, që është më shumë një partiak, cënon pavarësinë e institucioneve të pavarura. Dublon pa kuptim funksionet që kryejne komisionet parlamentare dhe cënon e ngushton rolin e opozitës në parlament duke dubluar tërësisht komisionet dhe Këshillat që drejton opozita.
Nëse duam realisht integrimin na duhet që të punojmë çdo ditë dhe mbi të gjitha kemi vullnet. Mazhoranca ka vite këndon këngën e gjinkallës, nuk ecën dot as me hapin e milingonës për këtë proces” tha ajo.
LIVE-Komisioni i Drejtësisë, Xhafaj: Presim që opozita të vijë