Deputeti demokrat Flamur Noka ka akuzuar qeverinë për dy raportet e fundit të OLAF dhe të UNICEF, që kanë rrëzuar sipas tij propagandën e Edi Ramës. OLAF, thotë Noka ka zbuluar vjedhjen e 33 mln euro të parave të taksapaguesve të BE-së, ndërsa UNICEF na thotë se, 47 për qind e fëmijëve keq ushqehen, nuk hanë dot tre vakte.
“Në fillim Bashkimi Europian, që me anë të zyrës që heton mashtrimet dhe abuzimet me financat e qytetarëve të BE, konkludoi se 33 milionë euro ishin keqpërdorur, pra ishin vjedhur nga rrjeti i sekserëve që Ministria, Qeveria kishte ngritur. Bujqit e varfër shqiptarë për të marrë një mbështetje, duhej të jepnin 1 të tretën, ose më shumë nën dorë. 33 milionë euro të vjedhura nga suksesi, nga përparimi i madh i qeverisjes, taksa këto të gjermanëve, francezëve, italianëve, e qytetarëve të vendeve të Bashkimit Europian. Para këto të destinuara për prodhimin tonë vendas në fshat.
Ju vidhni në çdo institucion dhe opozita sulmohet e burgoset. Keni dëgjuar që SPAK të ketë nisur ndonjë procedim, apo të ketë arrestuar njeri. Jooooo se Frida e krifcat e Ramës në Bujqësi, kanë mbështetjen e tij. I mban ata Rama, nuk i lëshon. Sepse nga krifcat e Ramës kanë ngjyer të gjithë gishtin në këto miliona.
Është e çuditshme se si UNICEF nuk mendon si Elisa apo si Ulsiu, dhe se si bën publikime pa marrë lejen e Fugës. Ndryshe nuk do të thoshte se 47 përqind, pra gjysma e të vegjëlve e të miturve nën 5 vjeç janë në varfëri ushqimore. Ushqehen keq. Hanë vetëm dy vakte, ose vakte shumë jo cilësore, pa kaloritë e duhura. Një gjendje alarmante kjo. Këta fëmijë të kequshqyer” tha Noka.