Alket Veliu, drejtor i Fondacionit “Hasan Tahsini”
Në mëngjesin 27 Qershor 1944 ushtria greke e drejtuar nga Napoleon Zerva hyri në Paramithi duke zënë pikat e hyrjes dhe daljes në qytet për të realizuar në mesditë dhe vijim projektin dhjetra vjeçar të shtetit grek ndaj shqiptarëve në Çamëri. Të çarmatosur me herët shqiptarët e Çamërisë a panë veten si në therrtore, ku nuk u kursyen as fëmijët, gratë dhe të moshuarit. Janë me shumë se 2900 të vrarë në harkun e 10 muajve dhe më shumë se 2700 të tjerë humbën jetën gjatë rrugës për ne Shqipëri.
Por ajo që ndodhi në 1944 nuk ishte rrufe në qiell të hapur por finalizimi i projektit dhjetra vjeçar për dëbimin e shqiptarëve nga Çamëria dhe spastrimin etnik të kësaj krahine. Masakra e Selanin në 1913, masakrat e 1914 ne jug te Shqipërisë, reformat agrare, shkëmbimi i popullsisë sipas traktatit të Lozanës, mos lejimi i shkollave shqipe në Çamëri, çarmatosja dhe internimi i burrave mbi 16 vjeç ishin disa nga aktet e kryera më parë ndaj shqiptarëve në Çamëri për ti hapur rrugë genocidit dhe dëbimit final në 1944-45.
Është një ngjarje tragjike që ka lënë gjurmë të thella në historinë e kombit tonë. Krime monstruoze janë kryer në Çamëri, Krime të cilat kanë mbetur pa u ndëshkuar dhe akoma më keq as nuk pranohen nga pasardhësit e ekzekutorëve të këtyre krimeve. Njësoj si në Kosovën e këtij fillim shekulli, xhelati kërkon të kthehet në viktimë.
Akuzat e shtetit grek për bashkëpunim me nazistët janë sajesa të atyre që ndërtuan një shtet fashisht deri në vitin 1941 me në krye Metaxa. Qeveria pasuese kuislinge e Rallis apo kasapi i ushtrisë greke Zerva janë faktuar në gjyqin e Nuremberg si bashkëpunëtor me nazistët, ndërkohë që ky kriminel nderohet si hero në Greqi edhe ditët e sotme, me buste dhe muze.
Është koha për të reflektuar mbi këtë kapitull të errët në historinë tonë, kërkohet reflektim nga pasardhësit e ekzekutorëve, nga shteti Grek, kërkohet reflektim nga shteti amë i cili ka 80 vjet që hesht dhe nuk flet për Çamërinë.
Shteti shqiptar e ka detyrim kushtetues të merret me çështjen çame, detyrim i cili buron nga preambula e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë e cila e detyron shtetin të mbroj interesat e shqiptarëve kudo që jetojnë por edhe nga rezoluta për Çamërinë e miratuar nga parlamenti shqiptar në vitin 2004. Rezoluta për Çamërinë e ngarkon qeverinë që çështjen çame t’a bëjë të njohur në institucionet ndërkombëtare.
Por pikë së pari çështja çame duhet të jetë kryefjala e çdo takimi bilateral me palën greke. Çështja çame duhet të jetë shqetësimi i çdo deputeti në parlamentin e Shqipërisë të cilët duhet të vendosin interesin kombëtar si busull të aktivitetit të vet parlamentar. Vendin e heshtjesh apo retorikave boshe duhet t’a zenë nismat parlamentare për të detyruar çdo institucion shtetëror të marë përgjegjësitë që i takojnë për çështjen çame.
Ne shqiptarët e Çamërisë që me krijimin e këshillit antifashist çam në 1945 por edhe me krijimin e Shoqatës Patriotike Çamëria në 1991 kemi qenë të qartë dhe të pandryshueshëm në kërkesat tona, duke kërkuar rikthim në shtëpitë tona dhe dënim të autorëve për krimet e kryera. Ne nuk kërkojmë ndryshim kufijsh por respektim të të drejtave të njeriut në bazë të çdo ligji ndërkombëtar.
Ne shqiptarët e Çamërisë nuk kemi harruar rrënjët tona, kulturën tonë dhe identitetin tonë, pavarësisht përpjekjeve për t’i fshirë ato. Ne nuk do të rreshtim kurrë së kërkuari të drejtën tonë legjitime për t’u kthyer në shtëpi.
E drejta jonë nuk duhet të shqetësoj banorët e sotëm në Çamëri, ne nuk ushqejmë asnjë armiqësi me ta, as me popullin grek. Ne i ftojmë në përgjegjshmërinë që duhet të kemi për brezat që vijnë, për mos ti lënë në armiqësi me njeri tjetrin por në bashkëjetesë si fqinj të mirë duke zgjidhur problemet mes nesh për t’u çliruar nga pesha e së shkuarës.