Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, ka thënë se Kosova dhe Serbia janë duke i “humbur vërtet” mundësitë e tyre duke mos i zbatuar marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun e Brukselit, pasi të mërkurën dështoi të mbahej një takim i paralajmëruar trepalësh i liderëve të të dyja vendeve me shefin e diplomacisë së BE-së.
“Takimet e Josep Borrellit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tregojnë se si palët duhet të ripërkushtohen për t’i luftuar problemet dhe për t’i ndjekur mundësitë brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.
SHBA-ja, që mbështet dialogun e Brukselit, vazhdimisht u kërkon palëve t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e dialogut.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, konfirmoi se të mërkurën në Bruksel nuk u mbajt takim trepalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë.