Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ta ndaluar TikTokun në institucionet publike.
Kryeministri Albin Kurti u shpreh se Ministria e Brendshme ka propozuar ndalimin e përdorimit të TikTokut në institucione “me qëllim të eliminimit të rreziqeve kibernetike”.
Zëvendësministri i Brendshëm, Bardhyl Dobra deklaroi se të gjitha institucionet obligohen që të vendosin kufizimet e nevojshme teknike për ndalimin e TikTokut.
“Të gjithë zyrtarët publikë janë të obliguar ta largojnë TikTokun nga pajisjet e tyre. Në pajisje personale lejohet, por jo përmes rrjetit shtetëror”, ka thënë Dobra.
Ndalimi i TikTokut, që është në pronësi kineze, ndjek shembullin e disa vendeve të Bashkimit Evropian që kanë vepruar po njësoj.