Nga 1 korriku, Hungaria udhëheq presidencën e Bashkimit Evropian. Gjashtë muajt e ardhshëm mund të jenë të vështirë për lidershipin e BE-së, marrë parasysh se kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka qëndrime kontradiktore me BE-në: nuk është i kënaqur me sanksionet e saj kundër Rusisë, ka penguar ndihma ushtarake dhe financiare për Ukrainën dhe ka vënë në pikëpyetje aspiratat e Kievit për anëtarësim në BE.
Për më tepër, Hungaria, e vetëquajtur “demokraci joliberale”, është penalizuar nga BE-ja, e cila ia ka ngrirë 6 miliardë euro fonde, të destinuara për të.
Por, pavarësisht marrëdhënieve të tilla, presidenca gjashtëmujore e Hungarisë në gjysmën e dytë të vitit 2024 mund të mos jetë aq dramatike dhe problematike sa disa mund të kenë frikë.
Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian – një prej organeve kryesore vendimmarrëse të bllokut, që përbëhet prej ministrave të qeverive të shteteve anëtare – e mban me rotacion secili prej vendeve anëtare për një periudhë prej gjashtë muajsh.
Me këtë aranzhim, secili shtet anëtar ka mundësi të formojë agjendën e Këshillit.
Sipas disa burimeve në Bruksel, presidenca hungareze nuk është duke shkaktuar shumë net pa gjumë. Kjo, kryesisht për shkak të dy faktorëve: rolit aktual të presidencës dhe veçorive të kalendarit politik./REL