Në orën njëmbëdhjetë në kafe Juvenilja – më tha Bujar Hudhri në telefon. I paduruar, siç pritet të jetë një gjashtëmbëdhjetëvjeçar të cilit po i jepet rasti i madh ta takojë heroin e vet, i bëra presion babait të shkonim më herët. Ndonëse isha para kohe, Kadareja tregoi mirëkuptim për çapkënllëkun tim duke pranuar megjithatë, ta bënim më parë takimin.
Kjo telefonatë, e bërë këtu e dymbëdhjetë vjet më parë, ishte gjëja e vetme që m’u kujtua mëngjesin e sotëm kur e mora telefonatën tjetër: atë që më njoftonte se Ismail Kadare nuk ishte më mes nesh.
Ky tekst megjithatë, nuk ka qëllim të shpjegojë takimet e autorit të këtyre radhëve me Kadarenë, siç po shohim të ndodhë tej mase shumë në rrjete sociale sot. Konsideroj që ky tekst nuk ka as qëllimin të dëshmojë ndonjëfarë kompetence e njohjeje të veprës së Kadaresë. Këtë tekst dua ta përdor për vetëm një qëllim dhe asgjë tjetër përreth ose përveç atij qëllimi: kujtim për Ismail Kadarenë, i tillë çfare ishte e i tillë çfare është, sepse këtë gjë s’e ndryshon as vdekja.
Të të vallëzojë fjalia
Bota, edhe ajo shqiptare, ka mjaftueshëm shkrimtarë. Vetë Kadareja, në një përbuzje sublime, krejt karakteristike për humorin e tij, fliste për botën komuniste kineze lideri i së cilës e kishte shpallur rekordin e arritjes së një milion shkrimtarëve. Por kjo, sikur edhe instituti Maksim Gorki ku studioi Kadare, ishte një investim në antiletërsi. Një përpjekje për ta prishur ngrehinën e letërsisë, duke ia kalbur tullat (pra shkrimtarët). Duke prodhuar shkrimtarë të këqij, diktaturat do ta rrëzonin lehtë letërsinë, ose do ta përdornin për vete.
I tillë nuk ishte, në asnjë kuptim, Ismail Kadare. Nuk besoj që jam i vetmi që, përjetimet që njihen si ‘’writer’s block’’ (bllokimi i shkrimtarit), kur fleta e bardhë të bëhet armiku kryesor, i kam shëruar me disa paragrafë nga Ismail Kadare.
Të shkruash fjali është një gjë, të të vallëzojë fjalia është diçka krejt tjetër. Fjalia e Kadaresë ka muzikalitet, është e aftë t’i japë përjetim estetik veshëve edhe nëse nuk lexohet, por dëgjohet.
Kadareja në letërsi
Kam përshtypjen që mund të jetë krejt e kotë të flasësh për meritat letrare të Ismail Kadaresë: ata që kanë pasur dëshirën t’i dinë, i dinë tashmë. Ata që s’kanë dashur t’i dinë, e të kapen me të në kuptim tipik të smirës ballkanike, nuk do të duan t’i dinë as sot.
Kadareja nuk është rob i rrymave. Ai, siç thotë New York Times, ia ka dalë t’i shndërrojë temat krejt lokale, të cilave në parim s’do t’ia vlente t’ua kthesh sytë, në letërsi universal të klasit të parë.
Në parim, askush s’do të donte t’ia dinte për një legjendë mesjetare të murosjes së një gruaje, apo të ngritjes së vëllait nga varri për ta mbajtur besën, apo për një gjakmarrje kanunore tipike për organizime primitive. Por, duan t’ia dinë. Duan, sepse i ka shkruar Ismail Kadare, e i ka shkruar si askush tjetër.
Në anën tjetër, po të shohësh tekste të mendimit për letërsinë, si “Eskili ky humbës i madh” e “Ftesë në studio”, ato kanë më shumë mendim letrar se aradha të tëra doktoratash. Për më tepër, vetë autori, i quan ese e jo studime.
Mos të flas për neologjizmat, për rendin gramatik që ndërron në funksion të stilit (dhe sa bukur që ndërron), e mbi të gjitha, për diçka që nuk e jep teksti në vetvete, por që e ndiejmë çdo ditë si fuqi të jashtëzakonshme, e që quhet impakt. Unë personalisht, e kam përshtypjen edhe plot kolegë të tjerë, nuk kam pasur asnjë udhëtim profesional jashtë vendit ku referencë të mos ketë qenë Kadare. Kur profesionistët e huaj marrin vesh se je shqiptar, insistojnë të flasin për Kadarenë. Ai ka hapur dyer që me shumë gjasë s’e ka ditur as vetë që po i hap.
Kadareja dhe shqiptarët
Rambuje, 1998. Kosova është në zgrip të shkatërrimit dhe për këtë liderët shqiptarë e serbë janë mbyllur në kështjellën e Rambujesë për ta zgjidhur çështjen e Kosovës. Kësaj konference i paraprijnë një krah i madh letrash që Kadare i ka shkruar për të gjitha personalitetet e njohura botërore me të cilat, përshkak se ka qenë Ismail Kadare, është njohur.
Fjalia me të cilën mbyllet letra e Kadaresë dërguar delegacionit të Kosovës në Rambuje me thirrje për ta nënshkruar marrëveshjen, është e vlefshme edhe sot e do të jetë e vlefshme saherë që ka marri në politikën shqiptare: “Mos i dëgjoni rrahagjoksat nga Prishtina që bërtasin për mosnënshkrim, edhe në këmbim të vdekjes. Askush s’ka të drejtë të propozojë vdekje për një popull të tërë. Ju jeni atje për jetën e Kosovës, jo për vdekjen e saj.” (citimi është parafrazim).
Për të shkuar më tutje, mua personalisht nuk më kujtohet asnjë moment në të cilin Ismail Kadare ka mundur të bëjë diçka për popullin shqiptar, e ka zgjedhur të mos e bëjë. Por, as kjo s’i ka mjaftuar një mentaliteti që pret që shkrimtarët duhet të ndikojnë edhe në shtrim të rrugëve e ndreqje të kanalizimeve.
Kadareja ka bërë për shqiptarët atë për të cilën shqiptarët me shumë gjasë ende s’janë të vetëdijshëm. S’jam i sigurt që do të jenë të vetëdijshëm, por gjithashtu e di që kjo për Kadarenë s’ka qenë kurrë e rëndësishme.
Për fund
Edhe ky tekst, si çdo tekst tjetër, s’mund të jetë veçse tentim fort modest për kujtimin e një njeriu të madh. Është tekst inferior, siç edhe pritet të jetë, veçanërisht ndaj njeriut për të cilin shkruhet.
Gjeneralit të ushtrisë së shkronjave i është bindur gjuha shqipe dhe, me atë bindje, ai ka bërë mrekulli. I është bindur për të mirën e vet, sepse ka fituar pavdekësinë.
Po e përmbyll duke rrezikuar të përdor klishe të njohura për rastet e tilla. Sot vdekja nuk e mori Ismail Kadarenë. Sepse para njerëzve si Ismail Kadare, edhe vdekja nuk ka kurrfarë fuqie t’iu marrë asgjë më shumë se trupin. Jeta e Kadaresë është në veprën e tij. Aty, pikërisht vdekjes, ai ia ka hedhur prej kohësh./Albanianpost