Gjykata Speciale të martën ka reaguar për heqjen e kollares së Jakup Krasniqit para seancës gjyqësore të hënën, duke thënë se ka pasur dyshime nëse veshja e të akuzuarit është sipas rregullave të paraburgimit. Specialja ka treguar se shefi i paraburgimit i ka konfirmuar se kollarja është e lejuar dhe pasdite ia kanë kthyer Krasniqit.
“Dhomat e Specializuara dëshirojnë të bëjnë një sqarim për ngjarjen e djeshme në lidhje me Krasniqin. Para seancës së djeshme, sigurimi i Speciales i kërkoi Krasniqit ta hiqte kollaren, duke kërkuar sqarime nga shefi i paraburgimit nëse rregullat e paraburgimit që ndalojnë veshje të caktuara do të zbatoheshin në këtë rast. Krasniqit i është kthyer kollarja dje pasdite dhe shefi i paraburgimit ka konfirmuar se bartja e kollares është e lejuar”, thuhet në reagimin e Speciales.
Gjatë ditës së sotme, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova që të marrë veprime për të adresuar rastin. Në një letër drejtuar Trendafilovës, Haxhiu e ka cilësuar akt absurd kërkesën për heqjen e kollares.