Deri në gjysmën e pagës, apo mbi 600 euro në muaj, mund të humbin deputetët e Kuvendit të Kosovës, nëse gjatë seancave plenare dhe në mbledhjet e trupave punues të Kuvendit përdorin gjuhë joparlamentare apo dhunë fizike.
Ndëshkimet e tilla parashihen në draftin e ri të Kodit të Sjelljes për deputetët e Kuvendit, të miratuar në muajin prill të këtij viti nga Komisioni për legjislacion, mandate, imunitete, rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.
Përgatitja e këtij draft-Kodi është përpjekje për të parandaluar përdorimin e fyerjeve, sharjeve dhe dhunës fizike nga deputetët, tha Adnan Rrustemi, kryetar i këtij komisioni.
“Përmes këtij projekt-Kodi po bëjmë përpjekje ta lartësojmë modelin e deputetit, në kuptimin e një deputeti të përgjegjshëm llogaridhënës, që të sillet me përgjegjësi në raport me funksionin dhe qytetarin”, tha Rrustemi për Radion Evropa e Lirë.
Miratimin e një Kodi të tillë e vlerësojnë të domosdoshëm disa nga organizatat joqeveritare që monitorojnë punën e Kuvendit, të tjera dyshojnë se Kodi do të ndikojë në përmirësimin e sjelljes së deputetëve./ REL