Në Kuvendin e Shqipërisë raportoi sot Kryeprokurori Olsian Çela. Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi e pyeti për dosjen Xibraka që ka pasur nën hetim dhe që sipas deputetit demokrat nuk hetoi vëllanë e kryeministrit, Olsi Rama dhe për këtë, sipas numrit dy të partisë më të madhe në opozitë u shpërblye me postin.
“Ju jeni emëruar me votë politike vetëm të shumicës së drejtuar nga Rama pas eksperiencës në çështjen e Xibrakës, ju jeni prokurori i asaj çështje që veçuat një procedim për një numër personazh të paidentifikuar.
Ju latë pa hetuar kokat e këtij grupi kriminal. Në udhëzimet tuaja drejtuar prokurorëve, këtë standard hetimi, a ia rekomandoni vartësve në prokuroritë e rretheve, a është ky një model që duhet të ndjekin duke lënë në hije personat e paidentifikuar, dekonspirimi i aksionit, a duhet të hetohet?”- pyeti ai.
“Kjo është një raportim për punën e prokurorisë për vitin 2023, është në detyrën time dhe tuajën t’i përmbahemi këtij raportimi” tha Çela duke iu shmangur.
Një tjetër pyetje e Bardhit lidhej me ndërtimet pa leje, shtesat e kateve të kullave në Tiranë. “Praktikisht paguheni kot si prokuror i përgjithshëm, sa nga këta që ndërtojnë kulla në Tiranë janë proceduar, hetuar apo dënuar nga prokuroritë në varësinë tuaj?”- pyeti deputeti demokrat.
“Ndërtimet pa leje janë drejtuar me seriozitet, të gjitha prokurorive u kam kërkuar ta trajtojnë me vëmendje maksimale. Ju i keni drejtuar një kërkesë prokurorisë dhe u kemi sqaruar se të dhënat statistikore që kemi janë të përgjithshme dhe informacionin konkret duhet ta merrni pranë prokurorive” u përgjigj Olsian Çela.
“Për mikro-kreditë, janë disa kallëzime që u janë drejtuar prokurorive, ka vendimmarrje të prokurorëve, një nga cështjet ka pasur veprim të prokurorisë, ka masa sigurimi për personat e hetuar” tha ai.