Pas mesnate, në fshatin Dubravë të Kosovës, ndodhi një incident me armë zjarri ku një polic plagosi aksidentalisht një të mitur në kokë.
Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar se i mituri, 16 vjeç dhe anëtar i familjes së policit, është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor fillimisht në Spitalin Rajonal të Pejës dhe më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
“Sot pas mesnate, Inspektorati Policor i Kosovës ka marrë informacion nga Policia e Kosovës për një rast me armë zjarri në fshatin Dubravë, ku një person është plagosur në kokë. Hetuesit e IPK-së dhe ekipet përkatëse janë nisur në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar hetimet në bashkëpunim me prokurorin e rastit,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Për këtë incident, polici është arrestuar nga Inspektorati Policor me akuzën e “vrasjes e mbetur në tentativë” dhe është pezulluar nga detyra deri në përfundimin e hetimeve. Prokurori i rastit ka vendosur një masë ndalimi prej 48 orësh për policin e dyshuar.
Hetuesit e IPK-së, së bashku me njësitë e tjera përkatëse, do të vazhdojnë hetimet dhe do të veprojnë në përputhje me udhëzimet e prokurorit të rastit.