Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali me anë të një postimi në rrjetet sociale ka reaguar në lidhje me vendimin e konferencës së kryetarëve.
Konferenca e kryetarëve rrëzoi kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me fondet e IPARD.
Spiropali tha se kjo qeveri dhe shumica parlamentare janë të gatshëm për debat në çdo kohë, për të gjitha çështjet me ndjeshmëri apo interes publik.
“Nuk mund ta kthejmë Kuvendin në hapësirë shantazhi, denigrimi dhe bullizimi ndaj institucioneve. Sa më shpejt ta kuptojë opozita rolin e saj, aq më mirë është për të, por edhe për Kuvendin”, shkruan Spiropali.
Ajo thekson se mocionet me debat zhvillohen mbi raporte dhe konkluzione përfundimtare, jo mbi aludime dhe akuza politike.