SPAK do të thërrasë ditën e hënë në orën 10:00 Rajmonda Nikën, bashkëshorten e Aleks Nikës në cilësinë e kallëzues për vrasjet e 21 janarit. Pas saj në 12:00 është thirrur Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës.
SPAK njoftoi zyrtarisht të martën se ka regjistruar hetimet për 21 janarin, për 3 vepra penale duke nisur nga ajo e vrasjes në rrethana cilësuese të kryer në bashkëpunim ndaj dy ose më shumë personave, “kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe ajo e shpërdorimit të detyrës me dyshimin se janë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë.
Vendimi erdhi pasi familjarët e viktimave të 21 janarit i kërkuan gjykatës së lartë që hetimet për zbardhjen e vrasjeve të të afërmve të tyre te ndiqen nga SPAK me argumentin se të përfshirë në vrasje rezultojnë funksionarë të lartë shtetërorë përfshi ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin Lulzim Basha dhe drejtues të lartë të gardës së Republikës.