Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike Grigels Muçollari ka denocuar sot nga selia se siguria ushqimore është një nga dështimet më të mëdha të kësaj qeverie.
Muçollari u shpreh se nuk është vetëm mungesa e vëmendjes për sigurinë dhe standartet ushqimore por mbi të gjitha është korrupsioni.
Ai ka publikuar një dokument në të cilën tregon se më 12 janar të këtij viti, ka ardhur lajmërimi nga Komisioni Evropian që në vendin tonë ka hyrë një ngarkesë e madhe me lëpirëse për fëmijë, në përmbajtje të të cilave ka copëza metali.
Sipas tij AKU nuk e ka kryer detyrën.
“AKU do të duhej të kishte filtra kontrolli për t’u siguruar qytetarëve produktin që ka lejuar të shitet në treg, por edhe pas njoftimit në RASFF, nuk ka pasur as komunikim të riskut, as bllokim të produktit në fjalë”, u shpreh Muçollari.
Ai u bën thirrje institucioneve të drejtësisë që të fillojnë hetimet një orë e më parë pasi këto produkte përmbajnë lëndë të dëmshme dhe helmuese dhe vazhdojnë të qarkullojnë lirisht.