-sidi education-spot_img
35.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Luftëtarja e lirisë

Kryesoret

Anne Applebaum, historiane amerikane me vendbanim në Varshavë, do të nderohet me çmimin më të njohur gjerman të literaturës. Qëndrimet e saj konsekuente kritike ndaj hegjemonizmit rus e shquajnë dhe e dallojnë atë nga shumë intelektualë perëndimorë.

Pse thjesht kur është e mundshme ndërlikueshëm?! Mirënjohja më e lartë e literaturës gjermane në origjinal quhet: “Friedenspreis des Deutschen Buchhandels” (çmimi i paqes i librashitësve gjermanë), kështu disi. Mund të përkthehet edhe si çmimi i paqes i tregtisë gjermane të librit, ndonëse tingëllon keq.

Sidoqoftë, çmimi është, siç u tha tashmë, i rëndësishëm. Mjafton të shikohet pak lista e laureatëve: Salman Rushdie (2023), Svetllana Aleksijeviq (2013), David Grossman (2010), Orhan Pamuk (2005), Jürgen Habermas (2001), Mario Vargas Llosa (1996), Vaclav Havel (1989).

Laureatja e vitit 2024 quhet Anne Applebaum. Ajo është një historiane e njohur amerikane, e cila gati gjithë karrierën e saj ia ka kushtuar historisë së Europës Lindore, ndikimit sovjetik në Europë dhe rolit fatal të stalinizmit dhe komunizmit në shoqëritë europianolindore. Për këtë flasin kumbueshëm katër librat e saj të përkthyera në gjermanisht. “Gulagu” (2003), “Perdja e Hekurt – Shtypja e Europës Lindore (1944-1956)” (2013), “Uria e kuqe – Lufta e Stalinit kundër Ukrainës” (2019) dhe “Joshja e autoritares – Pse është bërë sundimi antidemokratik aq i popullarizuar” (2021).

Çfarë e dallon Anne Applebaum nga shumë intelektualë të tjerë perëndimorë është qëndrimi i saj konsekuent kritik kundër hegjemonizmit rus. Ndërsa historianë e dijetarë të tjerë pretendonin se me rënien e Murit të Berlinit mori fund historia (për shembull Francis Fukuyama), Applebaum ishte e bindur se Lufta e Ftohtë do të vazhdonte. Ashtu ndodhi.

Me sulmin e Rusisë kundër Gjeorgjisë më 2008, me pushtimin e Krimesë ukrainase më 2014, me sulmin kundër mbarë Ukrainës më 2022, diktatori rus Vlladimir Putin dëshmoi para botës se për të Lufta e Ftohtë nuk ka marrë fund. Vetë Putin e ka quajtur fundosjen e Bashkimit Sovjetik si katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit të 20-të.

Në të vërtetë, fundosja e Bashkimit Sovjetik ishte parakusht për të fituar lirinë shumë popuj në Europën Lindore, nga vendet baltike në Rumani e Bullgari. Shumica e këtyre vendeve i hoqën qafe regjimet komuniste në mënyrë paqësore – me përjashtim të Rumanisë, ku në dhjetor 1989 nisën protestat masive dhe më 25 dhjetor u pushkatuan diktatori Nikollai Çaushesku dhe gruaja e tij Elena.
Ky epilog i çiftit diktatorial rumun e frikësoi aq shumë diktatorin shqiptar Ramiz Alia, i cili pas disa përpjekjeve kriminale për të mbajtur pushtetin, vendosi të hiqte dorë nga ushtrimi masiv i dhunës sepse kishte frikë se zemërimi popullor jo vetëm do të rrëzonte regjimin komunist, por edhe do t’i ndëshkonte në mënyrë meritore kasapët e kombit shqiptar.

Mediat gjermane e kanë përshëndetur vendimin e jurisë gjermane për të nderuar Anne Applebaum. Si historiane ajo vazhdimisht angazhohet që Perëndimi të mos e harrojë Europën Lindore. E lindur në një familje hebraike në Washington, Applebaum studioi rusishten dhe historinë në universitetet në Yale dhe Leningrad. Më 1988 ajo u shpërngul në Varshavë për të punuar si korrespondente e revistës britanike “Economist”.

Applebaum është e martuar me Radosllav Sikorskin, i cili aktualisht është ministër i punëve të jashtme të Polonisë. Sikorski emigroi në fillim të viteve 80-të në Britaninë e Madhe, studioi në Oxford, punoi si korrespondent i gazetave britanike nga Europa Lindore, mes tjerash edhe nga Jugosllavia e atëhershme, dhe me rënien e regjimit komunist u kthye në Poloni.

Afërsia gjeografike me Ukrainën, por edhe interesimi profesional për historinë e këtij vendi, ndikuan që Applebaum të shkruajë mbi gjenocidin e Stalinit kundër popullit ukrainas përmes urisë. Motivi i kësaj fushate ishte shtypja e kulturës dhe kombit ukrainas. Në librin tjetër me titullin “Gulagu” Applebaum përshkruan sistemin e kampeve sovjetike, ku u internuan qindra-mijëra njerëz. Në vitin 1925 në ishujt u hapën kampet e para, ato janë pararendëse të sistemit të Gulagut, i cili para Luftës së Dytë Botërore kulmoi me arrestimet masive në vitet 1937/38. Terrori vazhdoi deri në vitin 1953, kur vdiq Stalini.

Çmimi gjerman do t’i ndahet Anne Applebaum në tetor, në fund të javës së Panairit të Librit në Frankfurt. Ceremonia e ndarjes së mirënjohjes është ngjarje e madhe kulturore në Gjermani në të cilën marrin pjesë personalitete të larta politike dhe pjesëtarë të elitës kulturore gjermane. Deri atëherë nuk ka gjasa që të marrë fund agresioni rus kundër Ukrainës, andaj mund të merret me mend se cila do të jetë tema e fjalimit të Anne Applebaum. Mendimet e saj të qarta e dallojnë dhe shquajnë Applebaum nga shumë intelektualë perëndimorë./ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit