Gjykata e Sarandës ka lënë në masën e sigurisë arrest me burg biznesmenin Erdion Muho, të dyshuar për veprën penale “shkatërrim prone me eksploziv” në bashkëpunim mbetur në tentativë ku mbeti i vdekur shoku i tij Armand Nelaj.
Seanca në ngarkim të tij u zhvillua në Spitalin e Sarandës, ku Muho mbahet i izoluar prej ndalimit të tij mbrëmjen e 28 korrikut, për shkak të problemeve shëndetësore me veshkat.
Gjatë gjithë seancës së caktimit të masës së sigurisë, Muho ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës duke u shprehur se “nuk kam lidhje fare me ngjarjen.
Madje atë natë kam qenë në Korfuz. Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen dhe motivet që dyshon Prokuroria” tha ai.
Gjyqtari Alban Veçani ka cilësuar të ligjshëm ndalimin e tij dhe ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai ka pranuar kërkesën e Prokurores Besiana Sadikaj, e cila ka ngritur akuzë pas 1 muaj hetime në ngarkim të Muhos, ku janë përdorur edhe metodat proaktive.