Në një incident të paprecedentë në Aeroportin e Shkupit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përjetuar një përplasje me sigurimin e aeroportit, i cili tentoi të merrte celularin e saj personal. Sipas Presidencës së Kosovës, sigurimi maqedonas ka ushtruar forcë fizike ndaj Presidentes, duke e detyruar Policinë e Kosovës të ndërhyjë për të siguruar kalimin e saj.
Në një deklaratë të Presidencës, thuhet se ky veprim është në shkelje të protokolleve ndërkombëtare që mbrojnë krerët e shtetit dhe se pala maqedonase ka marrë çantën personale të Presidentes në kundërshtim me rregullat diplomatike. Për më tepër, pas hyrjes në aeroplan, ka pasur një vonesë prej më shumë se një ore në nisjen e fluturimit për shkak të pretendimeve të rreme për probleme me aterimin.
Presidentja e Kosovës e ka informuar kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, për këtë incident dhe e ka cilësuar si një sulm ndaj sovranitetit të Kosovës dhe një shkelje të rëndë të konventave ndërkombëtare.