Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso akuzoi sot se Edi Rama ndryshoi ligjin që të merrte tokën në Vuno, që ishte në pronësi të Spiro Kolekës dhe familjarëve të tij, ku pjesë ka dhe Aneta Koleka-Kaso.
“Në vitin 2017, Edi Rama dhe trashëgimtarët të tjerë të fisit Koleka, kanë çuar të regjistrojnë pronën e tyre në Agjencinë e Trajtimit të Pronave-ATP.
ATP e ka refuzuar regjistrimin, në një vendim ende të pazbardhur, por me siguri sepse ka gjetur mangësi në dokumentacion.
I gjendur përballë refuzimit të agjencisë, Rama ka ndryshuar ligjin, sipas të cilit me anë të një vendimi, Gjykata e Apelit e detyron ATP ta regjistrojë direkt pronën. Kini parasysh se ligji i mëparshëm parashikonte që vendimi i Gjykatës së Apelit e detyron ATP ta rishqyrtojë, jo ta regjistrojë direkt pronën.
Për ta rënduar skandalin ATP në këtë proces gjyqësor as që ka guxuar të paraqitet e të mbrojë interesin e shtetit.
Këtë ndryshim Edi Rama e ka bërë nëpërmjet 7 akteve ligjore, 2 ligje dhe 5 VKM.
Në këto kushte Gjykata e Apelit ka marrë një vendim të detyruar nga ligji i rishikuar, qepur me porosi nga vetë Rama.
Edi Rama ka kthyer kështu një sipërfaqe toke me pronësi të dyshimtë në një Eldorado për fisin e tij, dhe pavarësisht kësaj del i thotë publikut se ai nuk ka marrë asnjë metër tokë.
Një prej përfituesve të tokës në këtë zonë është dhe familja e Vilma Nushit, oligarkja e preferuar e Ramës, gjithashtu pasardhëse e një prej familjeve të Byrosë Politike, ashtu si vetë Kryeministri.
Duam t’i kujtojmë qytetarëve standardin e dyfishtë antiligjor, etik dhe politik, që përdor Edi Rama dhe vegla e tij SPAK, për familjet e tjera që nuk kanë qenë pjesë e nomenklaturës komuniste.
Jamarbër Malltezi dhe Sali Berisha janë në arrest politik prej 8 muajsh. Ish-kryeministri është në hetim se u ka kthyer pronën e tyre mijëra qytetarëve të shpronësuar nga komunizmi, dhe një ndër përfituesit është edhe dhëndëri i tij me rreth 400 m2.
Ndërkohë, familjet e Byrosë Politike, Koleka, Rama dhe Nushi, ndajnë mijëra metra2 tokë në një prej zonave më të lakmuara të Shqipërisë, familjet e persekutuara nga të njëjtët byroistë, si Begeja etj, pasardhës i të cilëve është Jamarbër Malltezi, persekutohen sërish.
Lideri i opozitës pa asnjë provë mbahet në burg politik” tha ai.