Sipas SPAK, vëllezërit Çopja kanë udhëhequr një organizatë kriminale të strukturuar mirë, e cila ka operuar në trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave për më shumë se një dekadë. Fillimisht aktivë në Itali, ata kanë zgjeruar aktivitetin e tyre në Evropë dhe kanë përdorur vrasje të porositura për të eleminuar konkurentët dhe për të kontrolluar tregun e drogës.
Një rast i rëndësishëm është vrasja e Endrit Alibej më 29 Dhjetor 2018 në Elbasan, e cila dyshohet të jetë organizuar nga kjo grupim për të eliminuar konkurencën në tregun e kokainës. Pas kësaj vrasjeje, janë urdhëruar edhe vrasje të tjera ndaj personave të lidhur me Alibej.
SPAK ka zbuluar gjithashtu se organizata ka investuar të ardhurat nga aktiviteti kriminal në pasuri të paluajtshme në Shqipëri, përfshirë blerjen e apartamenteve, vileve dhe objekteve komerciale në Tiranë, Elbasan dhe Durrës. Ata kanë përdorur sektorin e ndërtimit dhe operatorët ekonomikë për të pastruar paratë dhe për të fshehur aktivitetin e tyre kriminal.
Franc Çopja është evidentuar për transferimin e shumave të mëdha cash nëpërmjet zyrave të këmbimit valutor brenda dhe jashtë vendit, për të paguar vrasjet e porositura dhe për të investuar në Shqipëri dhe jashtë saj. Hetimet e SPAK-së po vazhdojnë për të zbardhur të gjitha detajet e këtij aktiviteti kriminal dhe për të ndaluar individët e përfshirë.