-sidi education-spot_img
21.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Jorgji Kote: Pësime dhe mësime demokratike nga Venezuela

Kryesoret

Zgjedhjet presidenciale të 28 korrikut  e vendosën prapë  Venezuelën në krye të kronikave politike dhe lajmeve në Amerikë dhe më gjerë. Kjo sidomos për pësimet e hidhura nga shdërrimi i Venezuelës dikur të begatë, me shumë pasuri të çmuara natyrore, mbi të gjitha me naftë, në një vend të varfër e në mjerim të plotë, të cilin në 25 vitet e fundit e ka drejtuar Partia Socialiste e Bashkuar e tipit marksist. Ende pa përfunduar numërimi i votave, Këshilli Kombëtar Zgjedhor,  organ kryekëput në dorë të Presidentit e shpalli Maduron fitues me 51,20 për qind të votave, ndërsa sfidantin e tij, Edmundo Gonzales me 44 për qind. Mirëpo në fakt, siç konfirmohet nga disa qendra të pavarura të vëzhgimit të atyre zgjedhjeve dhe mbas numërimit të 80 për qind të votave, rezulton se Maduro ka fituar vetëm  30 për qind, kundrejt rreth 70 për qind të votave të Gonzales. Këtë diferencë me miliona vota në favor të opozitës e konfirmoi më 1 Gusht dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, duke bërë thirje për  transparencë lidhur me rezultatet dhe kalimin paqësor të pushtetit.

Disfata e Partisë  në pushtet  ishte e pritshme dhe logjike, sepse 12 vjet mbas sundimit me dorë të hekurt të Maduros, dhe vetë  socialistët janë të zhgënjyer me gjendjen social-ekonomike të vendit. Dikur “oazi“ i begatë i naftës, sot Venezuela me 28 milion banorë lëngon nga varfëria, shtypja, padrejtësia sociale dhe veçanërisht korrupsioni. Për këtë të fundit, vitin e kaluar Venezula u rendit e 177 nga 180 vende të botës. Ndërkohë, në 10 vitet e fundit janë larguar nga vendi 7 milion vetë dhe pas këtyre zgjedhjeve pritet të largohen dhe 8 milion të tjerë.

Për pasojë,  Venezuela ka ditë që është përshirë në protesta masive dhe të ashpra, me dhunë, shtypje policore dhe arrestime të shumta, të cilat pritet të përshkallëzohen më tej. Diktatori Maduro është i vendosur në rrugën e vet; ai ka deklaruar se nuk do të pranojë asnjë humbje, ndryshe, vendi do të “lahet me gjak“.

Gjendja mbetet tejet e nderë dhe me shumë pak shpresa, sepse Maduro, ky ish shofer autobuzi në vitin 1992 është bërë  “vetë Ali dhe vetë Kadi“. Në Venezuelë nuk ka qeverisje por sundim të një personi të vetëm nëpërmjet Partisë Shtet. Ai e ka shtrënguar aq shumë darën brenda partisë, vendit dhe shoqërisë, sa nuk do t’ia dijë më as për SHBA-të dhe BE-në e as për 9 vende fqinj të cilat kanë kërkuar proces transparent të numërimit të votave. Madje, ka dëbuar ambasadorët e tyre, siç ka bërë dhe më parë. Ndërkohë, ai ka marrë zemër nga mbështetja e aleatëve të tij besnikë, Rusia, Kina, Kuba dhe vende të tjera.

E ardhmja e Venezuelës dhe e opozitës së saj është me rëndësi dhe interes për t’u njohur, sidomos për fatet e demokracisë atje, në Amerikën Latine por dhe më gjerë, në Europë dhe në rajonin tonë. Kjo mbasi vlerat, parimet dhe praktikat e demokracisë liberale vlejnë  kudo, ca më tepër që vende si Kili, Argjentina, Brazili, etj kanë tradita të shquara me jehonë planetare. Ato kanë nxjerrë burra shteti të famshëm në gjithë botën për vizionet dhe veprat e tyre me jehonë. Kështu, Venezuela është vendlindja e heroit legjendar Gjeneralit Simon Bolivar ( 1783 – 1830)  i cili për nga lavdia dhe betejat e zhvilluara krahasohet me Aleksandrin e Madh të Maqedonisë dhe Bonapartin. Ai tashmë njihet dhe adhurohet në Venezuelë, në Amerikën Latine dhe  gjetkë, me monumente, përmendore dhe vepra arti kudo në botë.  Për të ardhur te Huan Peroni, bashkëshortja e tij legjendare, Evita e Argjentinës dhe te ish Presidenti emblematik kilian, Salvadore Alende, i vrarë në krye të detyrës,  më 11 Shtator 1973 gjatë grushtit të shtetit të Pinoçetit.

Mësimet që mund të nxirren nga pësimet e të kaluarës dhe këto të tanishmet nga Venezuela janë të shumta dhe me interes, sidomos për rolin e madh të opozitës, shanset, alternativat, veprimtarinë e përditshme demokratike e  deri te strategjiaopozitare në fushatën e zgjedhjeve të 28 korrikut.

Këtë radhë, meqenëse figura emblematike e opozitës, deputetja Maria Corina Machado  nuk lejohej të garonte, ajo dhe opozita caktuan një figurë të mençur e të respektuar, ndonëse të panjohur nga publiku i gjerë deri atëhere. Ai  ishte diplomati 74 vjeçar në pension, Edmudo Gonzales; i papërfshirë në politikë, por ai e njihte mirë atë sepse kishte shërbyer për një kohë të gjatë si diplomat dhe ambasador karriere deri në daljen në pension. Zgjedhja e tij rastësore rezultoi tejet e goditur. Ishte njeriu i duhur për momentin, pa  “asnjë njollë“ në biografi, i moderuar, i thjeshtë, i qetë, pajtues dhe miqësor. Me sjelljen e tij politike ai bëri të kundërtën e asaj çka synonte Maduro; në vend të polemikave dhe tensioneve, Gonzales zbatoi një strategji të re qytetare dhe tejet civile, duke afruar një masë shumë më të madhe njerëzish dhe nga  kampi i Maduros. Gonzales hyri në fushatë me fanellën e  kombëtares së futbollit, simbol bashkimi dhe me buzëqeshjen e tij.

Thelbi i strategjisë së opozitës dhe liderit të saj ishte konsensusi, bashkimi, pajtimi në Venezuelën e të gjithëve. Edmundo Gonzales bëri thirje që “urrejtjen ta kthenin në dashuri, varfërinë në begati, korrupsionin në ndershmëri, ndarjen në ribashkim“. Madje dhe Maduron ai e quante “kundërshtar“ por jo armik.

E megjithatë, sërish zyrtarisht opozita nuk ia doli mbanë në një vend si Venezuela me diktaturë të konsoliduar në 25 vitet e fundit.  Në një Konferencë të rrallë shtypi me gazetarët e huaj në Pallatin presidencial, Maduro i akuzoi të dy liderët kryesorë të opozitës se ‘ i kanë duart e lyera me gjak dhe se të dy vendin e kanë në burg». Maduro akuzoi dhe Elon Muskun për veprimtari armiqësore, duke e ftuar për t’u ndeshur dhe në një debat televiziv.

Mësim tjetër që del nga ky rast ka të bëjë me mendimin naiv, që po mbizotëron dhe në rajonin tone, kur demokracinë e identifikojnë me zgjedhjet një here në 4 vjet. Mirëpo, ato janë një nga 10 komponentët e demoracisë liberale, ku zgjedhjet janë vërtet komponenti më i rëndësishëm, se prej tyre dalin organet drejtuese për katër vitet e ardhëshme. Por, ama të para bashkë me nëntë komponentët e tjerë, pa lënë pas dore asnjë prej tyre, siç ndodh sidomos në vendet autoritare. Madje, nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme pa e mbrojtur dhe zhvilluar çdo ditë demokracinë, pa shtuar hapësirat për  opozitën, median e lirë e të pavarur, shoqërinë civile, gjyqësorin e pavarur, etj. Ndryshe, ka vetëm votime, farsë dhe dhunë zgjedhore, të cilat kthehen ”në gjethe fiku” për të mbuluar dhe justifikuar rregjimin diktatorial dhe për 4 vite të tjera ose dhe në pafundësi, siç pretendon Maduro dhe diktatorë të tjerë kudo.

Tani problemi dhe sfida e madhe është se si do të ecet më tej. Siç duken bathët, asgjë e mirë dhe e lehtë nuk duket në horizont. Sa për ndërhyrjen e  huaj, qoftë dhe atë amerikane, përvoja e mëparshme tregon se ajo më shumë mund “ t’i prishte se sa do t’i rregullonte punë“ opozitës në Venezuelë. Thjesht do të shtonte akuzat e rregjimit ndaj saj si shërbëtore  e imperializmit, e borgjezisë dhe e të huajve.

Kështu, mbas zgjedhjeve parlamentare të vitit  2018, kur opozita siguroi shumicën absolute por jo të cilësuar, me mbështetjen e  SHBA-ve dhe BE-së  u një ndërhyrje e fuqishme, duke shkarkuar Presidentin Maduro e duke emëruar presidentin e përkohshëm Juan Guiado. 60 vende e njohën atë kundrejt vetëm 20 Maduron. U bënë shumë tratativa për një zgjidhje të qendrueshme, ku të mos ishin as Maduro dhe as Guiado, mirëpo më vonë ky demarsh dështoi.  Tre parti hoqën dorë nga koalicioni qeveritar i opozitës në vitin 2022, me justifikimin se ai nuk i kishte realizuar qëllimet e tij. Kështu dështoi përpjekja më e madhe dhe më serioze për të hequr qafe rregjimin diktatorial të Maduros, i cili vazhdoi të forcojë pushtetin e tij absolut.  Për pasojë, gjërat në Venezuelë “ranë nga shiu në breshër“!

E keqja tjetër e madhe atje është se ndryshe nga vendet latino-amerikane, të cilat  që e kanë përjetuar dhe e kanë traditë të konsoliduar rotacionin e pushtetit, në Venezuelë ai nuk njihet, çka ia vështirëson së tepërmi punën opozitës.

Veç kësaj, ndërhyrja “demokratike“ nga jashtë, qoftë ajo amerikane është bërë shumë më e vështirë, madje pothuajse e pamundur ose me kosto shumë të lartë, ca më tepër në gjendjen e  nderë të botës me shumë kriza dhe konflikte të rrezikshme. Rikujtojmë se përpara viteve 90 SHBA-të kishin kundërshtar superfuqi vetëm ish Bashkimin Sovjetik, ndërsa sot, veç Rusisë janë në skenën botërore  me shumë pretendime  Kina, Irani, Korea e Veriut, vende të tjera të mëdha dhe në Amerikën Latine, të cilat kanë ikur nga “vatha“ amerikane dhe perendimore, duke “kërkuar strehë“ gjetkë, deri te Grupimi i tyre i madh ekonomik BRICS.

Veç kësaj, vetë demokracia liberale e trumpetuar fort në vitet 90 dhe me pritshmëri të mëdha kudo ka kohë që është në rënie dhe degradim gjithandej, bashkë me partitë e saj tradicionale të majta dhe të djathta në Europë, madje dhe në SHBA.

Në këto kushte, aktori dhe faktori kryesor përcaktues për të përmbysur diktaturën dhe rivendosur rendin demoratik të vërtetë pluralist dhe në Venezuelë mbetet populli, kryesisht opozita dhe  liderët e saj. Të tjerat, dhe  sidomos media e lirë, gjyqësori i pavarur, shoqëria civile, etj janë bërë inegzistente gjatë 25 viteve të sundimit të Çavesit dhe Maduros. Ky i fundit e ka shtrënguar dhe më shumë darën e pushtetit personal mbi popullin, mbi partinë, lidershipin e saj, duke ngritur në piedestal kultin e tij të individit.

Mirëpo, Maduro nuk i ka bërë gjithë këto investime autoritariste që një ditë të bukur t’ia dhurojë  opozitës, përkundrazi, ai çdo gjë e ka llogaritur për të përjetësuar pushtetin e vet absolut. Rotacioni demokratik është term i panjohur për të si për çdo diktator. Ai konsiderohet i pazëvendësueshëm, sepse vetëm  ai dhe partia e tij atje përfaqësojnë demek alternativën e vetme dhe më të mirë, ndërsa opozita, media, shoqëria civile, etj duan ta shesin Venezuelën.

Kësisoj, e privuar nga gjithçka në përditshmërinë e vendit, opozitës  i kishte mbetur në dorë vetëm fitorja në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Por dhe këto atje u zhvilluan në një terren dhe mjedis të minuar dhe helmuar, ku zgjedhjet vetëm të lira dhe të ndershme nuk mund të jenë. Ato janë thjesht votime, farsë, dhunë dhe zgjedhë zgjedhore e pashembullt që duhet të përfundojnë në favor të Maduros.

Si pasojë e aktorëve dhe faktorëve të lartpërmendur, gjendja në Venezuelë është e nderë dhe me shumë pak shanse reale për opozitën, të paktën për një të ardhme të parashikueshme. Gjithsesi, urojmë më të mirën dhe që ato të mos kenë  fatin tragjik të opozitës bjelloruse dhe vendeve të tjera me rregjime  diktatoriale.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit