Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se ka bërë një kallëzim penal kundër shefit të sigurimit të kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi në lidhje me incidentin e Vjosa Osmanit.
“Departamenti për kontroll të brendshëm, hetime kriminale dhe standarde profesionale në MPB, Prokurorisë Publike Themelore kompetente për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – Departamenti i Specializuar për ndjekjen e krimeve të kryera nga persona me autorizim policor dhe pjesëtarë të policisë së burgut, ka paraqitur kallëzim penal ndaj S. S., shef i Departamentit për sigurinë personale të Kryetarit të Kuvendit për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale të “Rrezikimit të sigurisë” dhe veprën penale “Parandalimi i zyrtarit nga kryerja e një vepre zyrtare”, thuhet në njoftimin e MPB-së maqedonase.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut ai ka zbritur nga automjeti dhe ka hequr armën nga brezi dhe e ka futur përsëri.
Më pas policit nga Departamenti i Policisë në vendkalimin kufitar Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit i cili ishte në detyrë para derës së hyrjes VIP, iu drejtua me ton të lartë e ka shtyrë me të dyja duart dhe e ka kërcënuar duke e penguar në kryerjen e veprimeve të tij zyrtare.