Nisur nga rastet e fundit që kanë qenë të shumta, policia e shtetit u ka bërë thirrje administratorëve të bizneseve apo vetë sipërmarrësve që të tregohen mjaft të kujdesshëm që të mos bien pre e skemave të mashtrimit apo shantazhit.
“Nisur nga raste të evidentuara dhe të goditura kohët e fundit, në bashkëpunim me Prokurorinë, si dhe duke marrë shkas nga disa kallëzime të reja në strukturat e Policisë së Shtetit, nga pronarë apo administratorë biznesesh, të cilët kanë deklaruar se janë shantazhuar nga shtetas të paidentifikuar, në emër të funksionarëve publikë dhe shtetërorë, për të dhënë shuma parash për llogari të tyre, Policia e Shtetit apelon edhe një herë për të gjithë operatorët ekonomikë që:
Të tregohen vigjilentë ndaj rasteve të tilla të mashtrimit dhe të denoncojnë menjëherë pranë strukturave të Policisë së Shtetit, vendore apo qendrore, çdo rast të dyshuar ose nëse janë viktima të kësaj veprimtarie kriminale.
Theksojmë se individët apo grupet, për realizimin e qëllimit të tyre, po përdorin aplikacione të ndryshme telefonike për të komunikuar me operatorë ekonomikë, duke iu kërkuar donacione në emër të funksionarëve publik apo shtetërorë. Prandaj, cilido që konstaton të tilla komunikime apo ka rënë pre e tyre, të denoncojë menjëherë” mbyllet reagimi.
Rasti i fundit ishte pak ditë më parë kur në emër të Pjerin Ndreut një biznesmeni iu mor një sasi e konsiderueshme.