Ujërat e ndotura të Senës në Paris kanë shkaktuar polemika të mëdha gjatë Lojërave Olimpike, me Belgjikën që vendosi të tërhiqte ekipin e saj nga stafeta e triatlonit miks në shenjë proteste.
Vendimi erdhi pasi atletja Claire Michel, e cila mori pjesë në garat individuale, u sëmur pas zhytjes në lumë. Michel, që u rendit në vendin e 38-të në triatlonin për femra, ka pësuar një infeksion nga bakteri “Escherichia coli”.
Tërheqja e Belgjikës nga gara u shoqërua me një mesazh të fortë, duke kritikuar organizatorët për mungesën e masave të duhura.
Ndërkohë, dy atletë zviceranë gjithashtu kanë shfaqur simptoma të ngjashme, por Zvicra nuk e tërhoqi skuadrën e saj. Ministri italian i transportit, Mateo Salvini, shprehu indinjatën e tij duke e quajtur situatën një “mungesë respekti ndaj sportistëve”. Megjithatë, garat në Senë do të vazhdojnë, me disiplina të tjera të planifikuara për datat 8 dhe 9 gusht.