-sidi education-spot_img
7.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Arben Iliazi: Ilmi Kasemi Beati, “Mikelanxheloja” shqiptar nga Çamëria

Kryesoret

Ilmi Kasemi Beati, skulptor i njohur me origjinë nga Çamëria, është padyshim simboli i përsosmërisë artistike në artet e bukura në hapësirën mbarëshqiptare, veçanërisht në skulpturë.

I pajisur me prirje dhe aftësi estetike e teknike të mahnitshme, me shije të hollë, me dell të ndjeshëm dhe me fantazi të pashtershme, ai përthithi mençurisht ajkën e përvojës kombëtare e ndërkombëtare dhe çau përmes vështirësish të shumta, brenda dhe jashtë vendit, gjatë emigracionit në Itali, duke u ngjitur pareshtur në majat më të larta të artit bashkëkohor. Me veprat e tij në skulpturë, por edhe në pikturë, Beati është shndërruar në një mit i gjeneratave të artistëve shqiptarë.

64-vjeçari, me një portret klasik, paksa surreal, ku shndrit një buzëqeshje fisnike, mbuluar me një mantel misteri, e sfidon kohën me vepra nga më të ndryshmet, ku ndërthuret realizmi me neoklasicizmin, impresionizmi me paratetizmin simbolist, duke depërtuar thellë në mendimin iluminist të kohës që jetojmë dhe duke çliruar energji me inspirim mitologjik dhe nostalgjik, për të krijuar plot temperament dhe misticizëm besimin e shoqërisë shqiptare te e bukura dhe vlerat historike e humane. Veprat e tij janë absolutisht autentike.

Sapo i sheh shquan menjëherë dhe identifikon autorin e tyre, që rikrijoi një botë origjinale, duke arritur vlera të rralla estetike.
Ilmiu, ose Mike siç i thërrasim shkurt, është një prej bashkëkohësve dhe miqve të mij të vjetër, të cilin e kam veçuar gjithmonë për temperamentin e tij të veçantë artistik. I qetë, por edhe shpërthyes e i dalldisur, i butë por dhe rebel plot zjarr e pasion, i familjarizuar me këdo, ai shfaqet gjithnjë optimist mes boceteve dhe realizimeve të tij, që nuk janë ta pakta, që nga veprat monumentale, deri te portretet dhe skulpturat e relievit.

Vështirë ta mendosh skulptorin larg veprave të rëndësishme monumentale. Si mjeshtër në këtë fushë Ilmi Kasemi Beati spikati kur realizoi në vitin 2009 monumentin madhështor të At Gjergj Fishtës, vendosur në sheshin e qytetit të Lezhës, e që nuk është vetëm një statujë. Por ai ka lëvruar e krijuar me mjeshtri të rrallë në të gjitha rrafshet e skulpturës, ku ka arritur pika kulmore të virtuozitetit mjeshtëror.

Dhe vitet e fundit pasuan mjaft vepra të tjera, ku spikatin: “Memorial për Çamërinë”, Mbreti Pirro, Gjergj Kastrioti, dhe Gin Bua Shpata, Ali Pasha, Çelo Mezani, Lule Çapari, Ali Tepelena, statueta e Noli Film Festival, Abedin Dino e Rasih Dino, Tumankuqja, Dodona, e shumë të tjera.

Beati, me artin e tij, transmeton porosi patriotike dhe estetike. Ai është një artist i brumosur me vetëdije e karakter kombëtar, i frymëzuar në çdo çast nga mitet, nga historia dhe përditshmëria. Arti i tij inspirohet nga heronjtë shqiptarë dhe përgjithësisht frymëzohet nga arti ynë mitologjik dhe mesjetar. Siç shihet nga punët që përmendëm, Beati është një përcjellës i mirë i karakteristikave etnografike çame, nën peshën e energjisë së brendshme që merr parreshtur nga magma e tragjedisë çame, nga mitet dhe legjendat e saj të përsosura.

Ja çfarë shkruan skulptori në një nga statuset e tij në facebook: “Çamri, Thesproti apo Epir i Vjetër, pavarësisht nga emërtimi, në fakt ajo është toka që ka të bëjë me Pelasgjinë, duan apo s’duan namuzqarët, me njerëzit që e sistemuan atë, si me gurë ashtu edhe me kulturë dhe për këtë do të mjaftonte ajo që në shtrirjen e gjatë kohore duhet t’a quajmë pa fobi si toka dinastive hyjnore. Aty lindi koncepti religjioz me shumë Zota. Duan apo s’duan qerratallarët dhe agallarët. Por Dodonës iu turrën me egërsi dhe e prenë.

Në kujtim të saj politragjike kjo tokë politeiste është mësuesja e parë per ecelenza dhe vendi nga nis Europa e kësisoj mund të quhej Dodonida”, shkruan skulptori në një nga statuset e tij në facebook. Çdo punë që nxjerr nga duart e të tij të arta skulptori Beati e ndan me ndjekësit e tij të shumtë, dhe kjo duket se i jep forcë dhe e shtyn drejt së pamundshmes. Nuk i intereson dhe nuk i ka interesuar kurrë mendimi zyrtar për punët e tij. Nuk ka pyetur kurrë për padronë.

Kalon shumë kohë në natyrë, buzë lumit Erzen, pasi aty qetësohet dhe komunikon me artin e tij, takon njerëz të thjeshtë e të zakonshëm, pasi aty mundohet që të shikojë brendësinë e njeriut, egon e tij, dëshirat, ambiciet, dhimbjen e gjithçka që e bën një njeri të gjallë.
Zaten ai është gjithnjë në kërkim të një lumi, që jo vetëm i freskon fantazinë, por edhe i ofron argjilën që i duhet për bocetetet dhe modelet e tij krijuese, është gjithnjë i përcëlluar nga një zjarr, që e përfytyron dhe e provokon aty për aty edhe kur nuk e ka, është në kërkim të një ngasjeje misterioze, që e ndërsen për të hyrë në hullitë e magjisë së krijimit.

Beati skalit, bashkë me veprat, edhe portretin e tij, duke rrëmuar deri në skutat më të thella të shpirtit njerëzor, për të prodhuar monumentet e tij hyjnore, me magjinë e një “Mikalanxheloje” shqiptar.

Duke rrëmuar e rrëmuar në subkoshiencë, duke ndezur drita e llambushka inkadeshente deri në skutat më të thella të unit të tij krijues, ky artist unik dhe i papërsërtshëm, cdo krijimi që del nga duart e tij të llangosra me baltë e allçi i jep një rrëzëllim qiellor.

Ilmi Kasemi Beati, me veprat e tij sublime e magjiplota, me kumtin e paqes, humanizmit e mirësisë, me vlerat më të epërme estetike që clirojnë energji të pafundme, mbetet padyshim një mjeshtër i rrallë, që kapërcen kohën që jetojmë, duke shërbyer si një gurrë e pashtershme për krijuesit e rinj.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit