Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta me anë të një postimi në rrjetin e tij social ka lajmëruar ndarjen nga jeta të mikut të tij arbëresh, veteranit antifashist, gazetarit, shkrimtarit dhe studiuesit të mirënjohur, Mario Brunetti.
“Si përfaqësues legjendar i Arbëreshëve në Senatin dhe Parlamentin Italian do t’i jemi përjetë mirënjohës për kontributin e vyer të dhënë për mbrojtjen e promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditave Arbëreshe, por edhe të vlerave të pamohueshme të Luftës Antifashiste, për lartësimin e të cilave ai dha një ndihmesë të jashtëzakonshme si një nga studiuesit e veprës së mendimtarit të madh italo-arbëresh, Antonio Gramshi”, shkruan Meta.
Ai përcjell ngushëllimet familjes Brunetti dhe komunitetit arbëresh për humbjen e madhe dhe të pazëvendësueshme.
“Krenar të kemi bashkëpunuar së bashku, kur ushtroja detyrën e lartë të Presidentit të Republikës, për ngritjen e Forumit “U’ jam Arbëresh!”, një nismë që kishte për qëllim të evidentonte, ruante dhe promovonte trashëgiminë kulturore Arbëreshe, pasuri e çmuar e trashëgimisë kulturore të dy vendeve tona”, shkruan Meta.