Ministria e Mbrojtjes gjatë 24 orëve ka identifikuar 47 vatra zjarri, ku 36 prej tyre janë shuar dhe 11 të tjerë mbeten aktive.
Në Parkun Kombëtar të Prespës në Malin e Thatë, strukturat vendore kanë punuar pa ndërprerje për izolimin e vatrës së zjarrit. Zjarri vazhdon aktiv, për shkak të terrenit të vështirë.
Në qarkun e Tropojës, janë aktive dy vatra zjarri: në zonat pyjore të fshatit Rajë dhe Geghysen si dhe në fshatin Çeren, ku vatra e zjarrit pranë Parkut Kombëtar të Alpeve është përhapur dhe terreni i thepisur vështirëson ndërhyrjen.
Në fshatin Kus, të njësisë administrative Bërzhitë, vijon puna për shuarjen e zjarrit në Malin Lugë. Vatra është e izoluar dhe nuk paraqet rrezik për përhapje.
Në fshatin Tërnovë në bashkinë e Bulqizës, vatra e zjarrit vijon rë jetë aktive pavarësisht përpjekjeve të shumta nga forcat në terren për ta vënë nën kontroll.
Në fshatin Selixë të bashkisë së Matit zjarri është aktiv në dy vatra. Për shkak të erës së fortë, izolimi ende nuk është arritur.
Në fshatin Skuraj, në bashkinë e Kurbinit, nuk ka zjarr të hapur, por tymi vijon si rezultat i djegies së humusit nën bimësi.
Në vendin e quajtur Mali i Pusit, përballë fshatit Zhulat dhe mbi fshatin Sotirë, në bashkinë e Dropullit situata paraqitet e vështirë për shkak të terrenit, ku zjarri aktiv ka kaluar në kurorën me pisha. Forcat vendore janë në monitorim të situatës.
Në fshatin Kostar, në bashkinë e Finiqit dhe në fshatin Mërtiraj të bashkisë Selenicë, zjarri vijon të mbetet aktiv por nuk paraqet rrezik për banesat. Po punohet intensivisht për shuarjen e tij.