Kryeministri Edi Rama ka bërë një reagim të dytë në X lidhur me vrasjen e Egli Progës në Pogradec, duke mohuar akuzat për kontradikta në deklaratat e policisë dhe duke hedhur poshtë pretendimet për një përpjekje të organizuar për të krijuar një “maskaradë“.
Rama theksoi se vetëdorëzimi i autorit, Denis Meçe, ka ndodhur si pasojë e punës së policisë dhe jo për ndonjë veprim të rastësishëm. Ai shpalli se çdo pretendim për kontradikta është pjesë e një “maskarade të krijuar qëllimisht” dhe se informacionet e sakta janë të dokumentuara në regjistrin digjital të urgjencës kombëtare.
“Ky është rasti tipik i një maskarade të krijuar qëllimisht dhe si provë e maskaradës mjafton vetëm fakti se askush nga nxitësit dhe komentatorët e maskaradës nuk iu referua asnjë çast komunikatës së Policisë Vendore të Korçës, po së bashku iu referuan dizinformimeve e keqinformimeve të njëri-tjetrit për të helmuar sa më shumë opinionin publik.
Prandaj nuk do as mend e as kalem për të kuptuar se dalja publike e niveleve më të larta të Policisë së Shtetit dhe të Urgjencës Kombëtare, as nuk do të kishte pse të ndoshte nëse burimet e dizinformimit e të keqinformimit do t’i ishin referuar fakteve dhe jo sajesave të njëri-tjetrit.
Dhe faktet janë në dosjet e të dyja institucioneve, madje Urgjenca Kombëtare i ka në një regjistër digjital minutat e sekondat e thirrjeve përkatëse, mu si një pasqyrë kokëfortë për të parë realitetin e të gjithë reagimit shtetëror dhe dallimin e tij me filmin e neveritshëm të të njëjtëve sharlatanë të paudhë që maskaradat i kanë profesion në politikë e në media.”, shkruan Rama në X.