Policia e Tiranës ka arrestuar Endri Xhaferri, 22 vjeç, i njohur në rrjetet sociale me nofkën “Amsterdam”, në përfundim të operacionit policor të koduar “R 13”. Xhaferri akuzohet për krijimin e profileve virtuale të falsifikuara në rrjetet sociale për të denigruar qytetarët dhe për të kërkuar shuma monetare prej 1000 eurosh në këmbim të fshirjes së këtyre profileve.
Sipas policisë, Xhaferri përdorte profile false për të shpërndarë përshkrime dhe fotografi denigruese të individëve të ndryshëm, duke shfrytëzuar kështu të dhënat dhe imazhet e tyre për të marrë para. Operacioni ka përfshirë një hetim të detajuar që çoi në kapjen e tij dhe ndalimin për veprat penale të krimeve kibernetike.