Federata Shqiptare e Futbollit dhe “Sigal Uniqa Group Austria” zhvilluan një takim informues në “Shtëpinë e Futbollit” me përfaqësues të klubeve të Kategorisë Superiore në prag të fillimit të sezonit të ri futbollistik 2024/2025, që do të ngrejë siparin të dielën më 18 gusht.
Në takim u diskutuan procedurat që klubet duhet të ndjekin, plotësimi i formularëve përkatës për të përfituar rimbursimin në rast dëmtimi të lojtarit gjatë stërvitjes apo ndeshjes si edhe roli i doktorit dhe fizioterapistit në klub.
Gjithashtu, kompania “Sigal Uniqa Group Austria” prezantoi disa paketa të sigurimit për klubet, që përfshijnë lojtarët e akademive, të cilët mund të aktivizohen edhe me ekipin e parë dhe mund të përfitojnë nga rimbursimi në rast dëmtimi.