Sali Berisha, lideri i Partisë Demokratike, ka akuzuar qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Edi Rama për përfshirje në një skandal të madh me mbetje toksike. Në një deklaratë të fortë, Berisha ka kërkuar hetim ndërkombëtar për eksportin e 100 kontenierëve me lëndë të rrezikshme nga Shqipëria.
Berisha tha: Prej dy javësh, agjencitë e mëdha botërore të lajmeve, mediat ndërkombëtare qarkullojnë lajmin e eksportit nga Shqipëria të 100 kontenierëve me dy anije të lëndëve të rrezikshme, në shkelje kjo, flagrante të marrëveshjes së Bazelit dhe akteve të tjera ndërkombëtare, në shkelje flagrante të çdo ligji të këtij vendi.
Ai akuzoi qeverinë për ndihmën e kriminelëve: Ky akt, ky eksport të cilin autoritetet shqiptare pretendojnë para botës, që nuk e kanë autorizuar dëshmon pasigurinë e plotë dhe totale të këtij vendi, dhe porteve të tij. Dëshmon se njëlloj sikundër eksportohen rreth 100 kontenierë me lëndë toksike, importohen dhjetëra, qindra kontenierë me drogë, helme, lëndë toksike, të cilat flitet se vijnë në Shqipëri për tu çaktivizuar dhe groposur.
Berisha kërkoi veprim ndërkombëtar: Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këto akte kriminale të papërgjegjësisë ekstreme të narkoqeverisë ndaj qytetarëve dhe u bën thirrje dhe njëherë dhe i bën thirrje OKB-së, i bën thirrje NATO-s dhe OSBE-së në një komision hetimor veças apo të përbashkët, të hetojë gjer në fund aferën e 100 kontenierëve me lëndë toksike të eksportuara nga Shqipëria.
Ai përfundoi me një apel për shoqërinë civile: Ju bëj thirrje shoqërisë civile, aktivistëve, mbrojtësve të mjedisit, të mos lejojnë shkarkimin e tyre në portin e Durrësit, pa dalë të gjithë përgjegjësit e këtij akti të pashembullt, pa zbuluar mirë se kush qëndron prapa këtij akti dhe cilat janë substancat helmuese që përmbajnë kontenierët e eksportuar nga narko qeveria shqiptare.
Berisha theksoi se ndihma e qeverisë në këtë skandal tregon përfshirjen direkte të Edi Ramës dhe nevojën për një hetim të detajuar dhe transparent nga autoritetet ndërkombëtare.