Në një tubim të përjavshëm në rrugën e ‘Shpresës’, lideri i opozitës Sali Berisha ka akuzuar qeverinë e Edi Ramës për falsifikimin e kodit të mbetjeve toksike, duke e lidhur këtë skandal me Gent Gazhelin, zyrtar në doganën shqiptare.
Berisha ka theksuar se kjo praktikë është një krim i rëndë që rrezikon shëndetin e qytetarëve, duke përshkruar situatën si një pasqyrë të qeverisjes së korruptuar të Ramës.
“Nuk ka sot qytetarë më të pasigurtë dhe më të kërcënuar se shqiptarët. Krimi i fundit është një krim që mund të ndodhë vetëm në narkoshtete apo në shoqëri para-shtetërore. Nuk ndodh kurrë në një shtet në respekt minimal ndaj ligjit, çfado qofte ai. Trafiku i mbetjeve toksike është fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
Ajo që ka ndodhur me këto mbetje dëshmon pasigurinë e plotë dhe totale për çdo qytetar në këtë vend. Dëshmon kërcënimin e madh të jetës dhe shëndetit të çdo qytetari nga kreu i narkoshtetit Edi Rama dhe suita e tij. Pas dy javësh zhurme kombëtare dhe botërore për mijëra ton mbetje toksike që u nisën nga Durrësi për në Tajlandë, rezulton se Edi Rama me heshtjen e tij ka faktuar të gjitha akuzat që janë bërë këtu, në media ndërkombëtare dhe shqiptare se prapa aferës qëndron qeveria shqiptare, qëndron Edi Rama.
A ka akt më të madh fallsifikimi, akt kërcënimi më të madh për jetën e qytetarëve shqiptar sesa institucionet shtetërore të ndryshojnë kode e lëndëve jotoksike duke i vendosur në ngarkesat e lëndëve toksike. Kjo do të thotë të vendosësh etiketën e sheqerit, orizit aty ku janë helmet, toksinat…dhe krim më makabër se ky nuk mund të bëhet”, u shpreh Berisha.