-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Entela Binjaku: E ardhmja e Shqipërisë në 8 minuta…

Kryesoret

Kjo ishte një pjesë nga thirrjet nëpërmjet të cilave Instituti i Statistikave (INSTAT) ju drejtua qytetarëve për të marrë pjesë në CENSUS-in e Popullsisë dhe Banesave të vitit 2023. Pesë ditë para nisjes zyrtare të procesit, në Tiranë u mbajt Konferenca Hapëse ku titullarja e INSTAT-it, znj. Elsa Dhuli ndër te tjera, u shpreh: “Përgatitja e Censusit bazohet në standarte evropiane, në ligje të përmirësuara vendase dhe në teknologji bashkëkohore…ndjek rekomandimet e Kombeve të Bashkuara dhe të Komisionit Europian për statistika profesionale”.

Ambasadori Soreka, i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në atë kohë në Shqipëri foli për rëndësinë që kishte rregjistrimi dhe fuqizimi i sistemit statistikor i Shqipërisë në procesin e negociatave për anëtarësim. CENSUS-i nisi më 18 shtator (me përjashtim të Bashkisë së Kukësit ku filloi më 24 shtator) dhe vazhdoi deri në datën 15 Nëntor 2023.

Pas 8 muajsh, më  28 Qershor 2024, INSTAT-i zhvilloi Konferencën  Mbyllëse të këtij procesi duke  paraqitur rezultatet paraprake nga të dhënat që kishte grumbulluar mbi arsimin, gjendjen shëndetësore, punësimin, etninë, besimin fetar, gjuhën, elementë të jetës shoqërore etj. Ndër rezultatet befasuese të Censusit, ishin ato që lidheshin me nëntë pakicat kombëtare të njohura zyrtarisht në Shqipëri për të cilat Kushtetuta parashikon të drejta të plota politike, civile dhe sociale.

Anëtarësimi i vendit tonë në organizata dhe organizma ndërkombëtarë me fushë veprimtarie mbrojtjen e të drejtave të njeriut,  ratifikimi, nënshkrimi i një numri të konsiderueshëm aktesh ndërkombëtare që synonin njohjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të bëjnë të mendosh për pakicat ka një angazhim  të lartë institucional.

Përshembull vendi ynë është anëtar gati 30 vjecar në Këshillin e Europës, që nga viti 1995 vit kur edhe nënshkroi Konventën Kuadër “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare”.  Madje në këtë drejtim si një hap me rëndësi për anëtarësimin e vendit në BE, u ngrit edhe Komiteti Shtetëror të Minoriteteve me VKM-në nr 127 datë 11.03.2004.

Ishte pikërisht me këtë VKM që në  RSH  nga viti 2004-2017 njiheshin zyrtarisht si pakica kombëtare: pakica greke, maqedonase dhe serbo-malazeze, ndërsa  pakica arumune de dhe rome si pakica etno-gjuhësore. Ndërkohë me kalimin e viteve angazhimi shtetëror u thellua dhe me Ligjin 96/2017 “Për mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në  Republikën e Shqipërisë” në Republikën e Shqipërisë njihen si pakica kombëtare ajo: greke, maqedonase, arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe dhe bullgare.

Por edhe pse angazhimi shtetëror duket i lartë, kuadri ligjor ndër vite u përmirësua, duke parë tabelën e popullsisë banuese sipas përkatësisë etnike dhe gjinisë, nga CENSUS-i doli se: janë vetëdeklaruar si pjestarë të nëntë pakicave kombëtare 61528 qytetarë,  për 134 451 të anketuar nuk ka të dhëna, se 13 507 të tjerë parapëlqyen të mos përgjigjen, 770 kanë thënë se i përkasin një identiteti etniko-kulturor të përzier, 1142 thanë së nuk bëjnë pjesë në asnjë grup, ndërsa 3798 nga të anketuarit kishin një identitet etnik tjetër.

Pra nëse 9 pakicat përbëjnë 2.56 % të popullatës sonë,  për  5.83 % situata është si më sipër. Nga të dhënat paraprake u mësua se në vitin 2023 në RSH: jetonin 2, 402, 113 banorë, tri pakicat më të mëdha në vend janë ajo greke, egjiptiane dhe rome, pakica bullgare ishte me e madhe me 540 qytetarë se pakicat boshnjake, arumune, serbe dhe malazeze të mbledhura së bashku, arumunët ishin vetëm 178 individë më shumë se maqedonët, të cilët ishin më pak se boshnjakët dhe se në vend në 2023-shin jetojnë më shumë serbë sesa malazezë.

Ndër pakicat që njohu një rënie dramatike midis dy regjistrimeve 2011- 2023 ishte pakica arumune e vendit e cila jeton kryesisht në: Korçë, Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan, Divjakë, Lushnje, Berat, Fier, Përmet, Pogradec, Gjirokastër etj., ku në  disa nga Bashkitë si përshembull ajo e Selenicës, e Patosit etj, njihet prania e saj e rëndësishme, në një qark si pershembull i Vlorës fshatrat: Armen, Mekat, Bunavi, Bestrovë, Cerkovinë, Skrofotinë, Zvërnec, Beshisht Trevllazër etj., kjo pakicë është e dukshme etj., bashkëjeton në një rajon ndërkufitar si Korça ku janë të pranishme edhe pakica bullgare, greke, maqedonase, rome dhe egjiptiane.

Sipas CENSUS-it arumunë u vetëdeklaruan 1 314  burra dhe 1 145 gra duke shënuar një rënie prej 5807 persona nga rregjistrimi i 12 viteve më parë. Kjo ishte hera e parë që arumunët do të rregjistroheshin si Pakicë Kombëtare ndaj dhe vëmendja ndaj këtij procesit duhej të ishte e madhe. Po çfarë mund të ketë ndikuar në rënien kaq të madhe midis dy regjistrimeve të fundit?

A ishin shkaqe që prekën vetëm këtë pakicë? A ishte emigrimi, hezitimi për vetëdeklarim, mungesa e informimit mbi rëndësinë e vetëdeklarimit, ngurrimi se vetëdeklarimi në këtë përkatësi hiqte “të mirat” e fituara nga jeta si mërgimtarë, droja e dikurshme për të mos u dukur i vogël apo i nënçmuar, apo ishte njëtrajtësia me shumicën, apo ishin ndoshta anketuesit që nuk i drejtonin fare pyetjet mbi etninë, që nuk trokitën asnjëherë në 8 javë nëpër dyer, mos ishin vetë pjestarët e komunitetit që nuk vlerësuan përkatësinë etnike të të parëve, apo ishin OSHC-të arumune që nuk kontribuan në ndërgjegjësimin ndaj përkatësisë?

Mos ishte shteti që edhe pse ka ngritur një institucion me Kushtetutë për mbrojtjen e Pakicave i ka lënë pa mbështetje, në kufirin e buxhetit të lëmoshës duke i nënçmuar rëndësinë dhe pasurinë që i japin kombit shqiptar? Kur të gjitha këto pyetje presin përgjigje ose i lënë të nënkuptohen disa,  ajo që dihet është se kur të vijë rregjistrimi i radhës, statisticienët, politikëbërësit, studiuesit, demografët, do të raportojnë se në statistikat zyrtare të shtetit shqiptar, më 2023 -shin arumunët rezultuan 2459, më 2011 ata kishin qenë 8266 qytetarë, në 2003 Atllasi Demografik të Shqipërisë thoshte se numri i arumunëve në Shqipëri ishte 139.065, në statistikat e Shqipërisë komuniste më 1989 numëroheshin 782 arumunë, ndërsa para 112 vjetësh luftëtari i Pavarësisë Dervish Hima thoshte se në Shqipëri arumunët numërojnë 200.000 vetë…këtyre do t´u shtohen mijëra të diplomuar në Rumani, pas rënies së komunizmit, kur çdo vit rreth 100 të rinj e të reja, kryesisht nga familjet arumune apo dhe nga martesat e përziera,  ju drejtuan për arsimim institucioneve rumune.  Në 8 minuta të pjesëmarrjes në CENSUS-in 2023 kështu u vlerësua e ardhmja për pakicat kombëtare, trashëgimia e tyre e pasur kulturore që gjithmonë i ka dhënë Shqipërisë larmi në bashkëjetesën harmonike dhe tolerante me popullin shqiptar.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit