Anëtari i kryesisë së PD, Grigel Muçollari, ka paralajmëruar publikimin e dokumenteve dhe fakteve që sipas tij provojnë përfshirjen e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU) dhe Ministrisë së Bujqësisë në futjen e produkteve të rrezikshme në Shqipëri.
Në një deklaratë gjatë ditës së 234 të protestave për lirinë e liderit të opozitës, Sali Berisha, Muçollari akuzoi qeverinë shqiptare për trafik të paligjshëm ndërkombëtar me mbetje toksike.
“Helmohemi çdo ditë nga korrupsioni në institucionet e vendit, AKU dhe Ministria e Bujqësisë, së shpejti me fakte se si këto kanë manipuluar fakte e dokumente, që në Shqipëri janë futur produkte të rrezikshme.
Ato s’kanë reaguar por kanë fshehur dokumente. Ka ndodhur një tjetër gjëmë e madhe, mbetjet toksike, qeveria është e përfshirë në këtë trafik të paligjshëm. Sa mbetje kemi ende në Shqipëri, pse SPAK s’heton? SPAK kujdeset për të persekutuar opozitën dhe të ndalojë Berishën të denoncojë krimet e kësaj qeverie.
Në këtë Shqipëri kaq të shkatërruar, jemi dhe ne. Që s’kanë lejuar e kanë vendosur të jetojnë, përballen e protestojnë këtu. Rezistenca e protesta, të vetmet zgjidhje ndaj këtyre masakrenjve. Protestat s’duhet të na ndalojnë, e drejta do të na çojë prëpara.”, shprehet Muçollari.