Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi sot në Parlament se delegacioni i PE-së ia bëri të qartë maxhorancës se nuk ka hapa përpara në procesin e integrimit në BE pa i hequr imunitetin zëvendës kryeministres së pezulluar Belinda Balluku, e akuzuar për abuzime me tenderat.
“Procesi i integrimit është marrë peng nga rasti i korrupsionit të zvkryeministres tuaj. Pse na flisni për suksese imagjinare të hapjes së kapitujve dhe nuk na informoni për mbledhjen e dy javë më parë të grupit Coela, ku Shqipërisë i është bërë e qartë se nuk ka për të pasur asnjë hap përpara në procesin e integrimit nëse ky Kuvend kthehet në strehë dhe bunker të zyrtarëve të korruptuar.
Asnjë hap përpara nëse zv kryeministres tuaj nuk i hiqni imunitetin. Pse e mbani të fshehur për kuvendin këtë informacion dhe na flisni se Shqipëria qenka e Evropës se ka hapur kapitujt. Sukses është t’i mbyllësh kapitujt.
Serbia ka hapur e ka mbyllur kapituj, edhe Mali i Zi, ne kemi Belinda Ballukun. Nuk pyesim për proces të integrimit kur bëhet fjalë për fatin politik të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut”, u shpreh Bardhi.









