Presidenti Bajram Begaj ishte i ftuar në festivalin historik, kulturor dhe artistik ‘Vajzë Festë 2024’.
Begaj nderoi atdhetarin Ali Asllani, birin e Vajzës, një personalitet i njohur shqiptar në politikë dhe letërsi, duke i vendosur lule në bustin e tij dhe të heroit Perlat Rexhepi.
Ai u shpreh se për të “Festivali është një urë që lidh të kaluarën me të ardhmen, ku tradita dhe moderniteti bashkohen për të krijuar një realitet të ri, të mbushur me mundësi dhe shpresë”.
Begaj tha se pjesëmarrja në këtë edicion të dytë të festivalit është një dëshmi e qartë e suksesit dhe e rëndësisë që ky aktivitet ka fituar në kalendarin kulturor.
“Jam i lumtur të shoh si Vajza ngrihet lart në peizazhin kulturor të Shqipërisë, duke u bërë një qendër tërheqëse për artistë, turistë dhe dashamirës të kulturës nga e gjithë bota. Ne jemi të gjithë bashkudhëtarë në këtë rrugë të rilindjes së fshatrave tanë. Çdo hap që hedhim përpara është dëshmi e përkushtimit dhe dashurisë për këtë tokë të bekuar dhe shqiptarinë”, u shpreh presidenti Begaj.